Elvana Gjata lançoi para pak muajsh albumin e saj më të ri, që mban titullin “Çelu”, por mesa duket artistja shqiptare nuk e ka ndërmend që të ndalet pasi së shpejti do të sjellë bombën e radhës. Nëpërmjet një postimi në “Instagram” ajo ka bërë të ditur se do të vijë shumë shpejt me një bashkëpunim me këngëtaren e famshme Inna, artisten e shumë hiteve si “Amazing”, “Sun is up”, “Deja Vu” e shumë të tjera dhe me muzikantin e njohur me emrin Sickotoy.

Ky projekt i ri muzikor do të vijë nën titullin “Papa’ dhe të gjithë jemi gjithë sy e veshë për të zbuluar të tjera detaje rreth kësaj kënge që me shumë mundësi do të arrijë gjithë suksesin e dëshiruar.

Kujtojmë se para disa ditësh, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në kabinetin e saj këngëtaren e famshme shqiptare Elvana Gjatën. Këtë e bëri të ditur vetë Elvana përmes një postimi në rrjetet sociale. Ajo ka publikuar disa foto me Presidenten e Kosovës dhe ka zbuluar se ka i dhuruar kësaj të fundit një kopje të albumit të saj më të ri “Çelu”. Elvana ka treguar se të dyja bashkë kanë biseduar për artin, të ardhmen e vendit dhe shpresën për ditë më të bukura për shqiptarët.