Një tjetër ekip mjekësh dhe infermierësh nga Turqia, kanë mbërritur në Spitalin Memorial të Fierit. Lajmin e jep ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila thotë se sot është hapur po ashtu reparti ORL në këtë spital.

“Shumë e kënaqur që takova ekipin e ri mjekësor dhe infermieror të ardhur nga Turqia, që sapo i janë bashkuar super stafit shqiptaro-turk, në Spitalin Memorial të Fierit, ku po zgjerohen shërbimet me standarde bashkëkohore për qytetarët e rajonit të jugut”, shkruan Manastirliu.

Më tej, ministrja bën me dije se po bëhen përgatitjet e fundit për hapjen e tre reparteve të tjera në këtë spital.

“Është hapur rishtazi reparti i ORL, me mjekë turq dhe shqiptarë, po bëhen përgatitjet e fundit për shërbimin e pneumologjisë, atë të infektivit dhe së shpejti do të jetë gati kabineti modern i angiografisë, për realizimin e procedurave kardiake me aparatura të teknologjisë së lartë dhe staf super të kualifikuar.”