Kampioni i sapokurorëzuar europian, Gianluigi Donnarumma, i ka dhënë lamtumirën Milanit përpara transferimit të raportuar te PSG. Portieri i Italisë u bë një hero kombëtar, ndërsa priti penalltitë e Jadon Sancho dhe Bukayo Saka në finale e “Euro 2020”, për të vulosur triumfin e axurrëve të dielën, në “Wembley”.

Tani po përgatitet për një ndryshim peisazhi, pasi e kaloi gjithë karrierën e tij deri më sot me kuqezinjtë. Mediat franceze bëjnë me dije se 22-vjeçari do të jetë sot në Paris, për të firmosur kontratën 5-vjeçare në “Parc des Princes”. Donnarumma u transferua te Milani në moshën 14-vjeçare, duke iu bashkuar vëllait të madh Antonio në klub. Vetëm dy vite më vonë debutoi me ekipin e parë kuqezi kundër Sassuolo.

Ndërsa reputacioni i tij është rritur, Gigi është shoqëruar vazhdimisht nga thashethemet e transferimit. Këtë vit nuk pranoi të nënshkruajë rinovimin e kontratës së tij, pasi e udhëhoqi Milanin drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve për edicionin 2021-2022.

Në qershor raportet pretenduan se ai tashmë kishte siguruar transferimin falas te PSG, duke nënshkruar një kontratë 5-vjeçare në “Parc des Princes”. As klubi dhe as lojtari nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht lëvizjen, por njoftimi pritet sot, menjëherë pas përfundimit të “Euro 2020” dhe lamtumirës së vetë Donnarumma nga kuqezinjtë.