Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka hapur seancën e fundit plenare për këtë legjislaturë, ku ka renditur arritjet e Kuvendit dhe Qeverisë gjatë këtyre 4 viteve. Në fjalën e tij, Ruçi është ndalur edhe te hapja e negociatave ku ka theksuar se mbajtja e konferencës ndërqeveritare tashmë varet nga disa vende dhe nuk lidhet me kushtet që duhet të plotësonte Shqipëria.

Po ashtu Ruçi solli në vëmendje faktin se dikur Shqipëria paragjykohej si delja e zezë e Europës, ndërsa sot kjo mendësi ka ndryshuar dhe nuk ka pa i shprehur mirënjohjen atyre vendeve që janë çliruar nga këto paragjykime. Ruçi: Tashmë vendimmarrja, mbajtja e konferencës ndërqevritare, po bëhet vurnerable sepse varet nga disa vende anëtare dhe që nuk lidhet me kushtet tona. Para disa vitesh burokratë europianë të dhënë pas numrave kërkonin më shumë realizëm nga politikanët europianë ndaj vendeve tona. Sot konstatojmë se është mundur kjo burokraci.

Deri pak vitesh vendet tona paragjykoheshin si dele e zezë e Europës dhe sot këto vende meritojnë mirënjohjen tonë sepse janë çliruar nga këto paragjykime. Ne shqiptarët nuk jemi as të inatosur, as të dëshpëruar dhe as pesimistë, për ne thelbësore është që kalendari europian të ndërtohet në Shqipëri dhe ne duhet të krijojmë Evropën këtu ku jemi.