Kina thotë se i ka vënë vetes objektiv të zhvillojë burime energjie të pastër me anë të teknologjive bërthamore të gjeneratës së ardhshme.

Studiuesit kinezë kanë vendosur një rekord të ri teksa njoftuan dje se “dielli artificial” i krijuar prej tyre arriti temperaturën 120 milionë gradë Celsius për nje kohezgjatje prej më shumë se 100 sekonda.

Eksperimenti u mbajt në Institutin e Fizikës së Plazmës në Hefei, dhe ishte pjesë e përpjekjeve të krijimit të energjisë së pastër me anë të fuzionit bërthamor të gjeneratës së ardhshme.

I njohur edhe si Eksperimeti i Super-konduktorit Tokamak, “dielli artificial kinez” arriti të gjenerojë temperatura të plazmës deri në 120 milionë gradë Celsius për 101 sekonda, para se shkencëtarët të arrinin më pas temperaturën 160 milionë gradë Celsius, për kohezgjatjen 20 sekonda.

Qëllimi i këtij eksperimenti madhor është krijimi i energjisë së ngjashme me atë të diellit duke përdorur deuteriumin, izotopin e hidrogjenit që është i bollshëm në oqeane dhe mund të prodhojë një rrjedhë të vazhdueshme energjie të pastër. Sipas llogaritjeve, një litër ujë deti përmban deuterium të mjaftueshëm për të prodhuar energji ekuivalente me atë të prodhuar nga 300 litra naftë.

Kina thotë se kërkon të zëvendësojë karburantet fosile si qymyri, nafta e gazi natyror, me energjinë e fuzionit bërthamor, për një shoqëri me ekologjike.

“Kjo është një arritje e madhe në fizikën dhe inxhinierinë kineze. Suksesi i eksperimentit hedh themelet për ndërtimin e stacionit të parë të energjisë së fuzionit të Kinës,” tha drejtori Song Yuntao për mediat kineze.

Dielli artificial është në fakt pjesë e sipërmarrjes ndërkombëtare të Reaktorit Eksperimental Termonuklear Ndërkombëtar, me pjesëmarrje të shkencëtarëve nga Kina, Rusia, Bashkimi Evropian, India, Japonia, Korea e Jugut dhe SHBA.

Ekspertët thonë se me ritmet aktuale të zhvillimit, fuzioni i plotë bërthamor mund të arrihet brenda tre dekadave.