Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç rikthehen në tryezën e bisedimeve, këtë të hënë në Bruksel, në takimin e dytë mes tyre, pas atij të 15 qershorit, ku përtej ndasive, u shprehën të gatshëm për vazhdimin e bisedimeve.

Por njohësit e procesit të dialogut të nisur në Bruksel 10 vite më pare mes Kosovës dhe Serbisë, nuk kanë pritshmëri as për këtë takim të dytë.

Besnik Vasolli thotë se e konsideron këtë takim, të ngjashëm me atë të 15 qershorit. Të njëjtin mendim ndanë dhe Emir Abrashi nga “Demokracia plus”. Ndërsa me optimizëm vjen opinioni i Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik I Kosovës.

Në takimin e 15 qershorit, Kurti dhe Vuçiç u ulën në bisedime, secili me propozimet e tij, për të cilat asnjë prej palëve nuk u pajtua. Gjatë kësaj periudhë janë zhvilluar bisedime mes dy delegacioneve, në nivel ekspertësh por palët janë ende larg në qendrime.