Rregullat për vetëkarantinimin po lehtësohen për personat plotësisht të vaksinuar dhe ata nën 18 vjeç, ndërsa qeveria e Boris Johnson vazhdon përpjekjet për të hequr kufizimet antiCOVID-19 të Anglisë.

Nga 16 gushti, personat në këto kategori, që kanë rënë në kontakt me një rast COVID-19, nuk do të duhet më të vetëkarantinohen.

Ata do të këshillohen të bëjnë një test COVID, por nuk do të jetë i detyrueshëm.

Njoftimet pasojnë vendimin e Johnson për të hequr kufizimet antiCOVID-19 të Anglisë, që pritet më 19 korrik.

Meqë vaksinimi i personave nën 18 vjeç nuk është rutinë, një përjashtim i ngjashëm nga rregullat e vetëkarantinimit do të shtrihet edhe për ta.

Personat në kontakt me të infektuar COVID-19 do të inkurajohen të bëjnë një test PCR dhe kushdo që rezulton pozitiv do të duhet të vetëkarantinohet, pavarësisht nga statusi i tyre i vaksinimit.