Nga Altin Ketro

Në një postim në Twitter në orët e vona të natës të datës 4 korrik 2021, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shkruan: “Tahiri? Bodigardët e Tahirit? What’s new??????? Të gjithë e dinë se asgjë nuk lëvizte e nuk lëviz pa lejen e bablokut!!! Të gjithë.” Lulzim Basha e ka fjalën për trafikimin e lëndëve narkotike vite më parë dhe arrestimet e bëra së fundmi nga pala shqiptare në bashkëpunim me atë italiane në kuadër të operacionit të suksesshëm “Shpirti”. Por Lulzim Basha nuk shprehet me emër se për cilin e ka fjalën kur thotë: “Babloku”.

Duke qenë se zoti Tahiri ka qenë ministër në qeverinë Rama, aludimi është se Lulzim Basha e ka fjalën për kryeministrin Edi Rama. Por e vërteta mund të jetë komplet ndryshe. Në prag të Kuvendit Kombëtar të PD-së, Lulzim Basha është në dilemën e madhe: Ta mbajë apo ta shesë politikisht paraardhësin e vetë, Sali Berisha?! Nuk përjashtohet mundësia që këto deklarata Basha i bën me qëllim të caktuar që duke goditur pragun, të dëgjojë dera. Se po të nisemi të analizojmë se cili ishte ai funksionar i lartë shtetëror (babloku), që me ndërgjegje merrte përsipër të ndalonte operacionet e policisë për të luftuar mbjelljen, korrjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike, ai është vetë ish-kryeministri Berisha. Këtu nuk po hamendësojmë, por thjesht po e citojmë në vetë të parë.

Në një konferencë shtypi të datës 19 qershor 2014, ish-kryeministri Sali Berisha shprehet kështu se përse qeveria e tij nuk ndërhyri kurrë në Lazarat: “Ka qenë politika ime për të mos ndërhyrë dhe pikë. Qëndrimi im ka qenë tjetër: Të gjitha masat e tjera, përveç ndërhyrjes me forcë. Dhe nuk ka qenë një qëndrim i pabazuar. Ky qëndrim është shoqëruar me rënie drastike të mbjelljeve. Qëndrimi im ka qenë i qartë: Jo ndërhyrje.” Po a kishte sjellë vallë “rënie drastike të mbjelljeve”, politika e qeverisë “Berisha”, ministër i Brendshëm i së cilës ka qenë për 20 muaj rresht vetë Lulzim Basha?! Ja çfarë thoshte 11 muaj përpara kësaj deklarate të Berishës, një prej zyrtarëve të lartë italianë që mbikëqyrte nga ajri kultivimin e lëndëve narkotike në territorin e Shqipërisë.

Në një konferencë shtypi të datës 5 gusht 2013 (pra 40 ditë përpara se Edi Rama të formonte qeverinë e tij të parë), Drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni, publikoi përmasat e kultivimit të hashashit në territorin shqiptar. “Avionë me teknologji të përparuar fluturuan dhe zbuluan qindra plantacione me kanabis, lëndë narkotike që më pas masivisht trafikohet në Itali”. Bastoni përmendi si zona problematike Shkodrën, Fierin, Vlorën, etj., por theksin e vuri tek Lazarati. “Kemi bërë fotografi nga lartësia që dëshmojnë realitetin në Lazarat si kurrë më parë”. Sipas Bastonit, lënda narkotike mund të arrijë në 900 tonë, me një vlerë shitjeje mbi 4.5 miliardë euro.”

Në këto kushte, Lulzim Basha bën mirë që “bablokut” t’i vendosë emër konkret, që njerëzit të qartësohen e të mos ngatërrohen duke kujtuar historitë e së shkuarës me ish-ministra të Brendshëm që nuk ndërhynin dot në Lazarat, sepse shefi i qeverisë, me vullnet politik personal, nuk ua lejonte këtë gjë.