Organizata humanitare Caritas Albania ndërtoi 9 shtëpi të reja në qytetin e Belshit të cilat u dëmtuan nga tërmeti. Në ceremoninë e përfundimit të shtëpive dhe futjes brenda të anëtarëve të 9 familjeve nga Belshi, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla falënderoi përfaqësuesit e Caritas Albania për mbështetjen e dhënë për ndërtimin e shtëpive të reja.

“Nuk janë vetëm 9 shtëpi që janë ndërtuar, por janë 9 familje që deri para pak kohësh nuk kishin një çati ku të mbanin fëmijët e tyre. Kjo mbështetje që ju na dhatë na dha mundësinë që tashmë të kemi 9 shtëpi të reja në Belsh, të cilat zëvendësojnë 9 shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit. Kjo është forma më e bukur për të festuar 30-vjetorin e Caritas në Shqipëri. Pas tre dekadash vazhdon me të njëjtin angazhim njësoj siç erdhi ditën e parë në Shqipëri”, tha Balla.

Sipas Ballës, Shqipëria dhe Italia janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

“Në çdo moment të vështirë Italia i është gjendur pranë Shqipërisë në çdo formë mbështetjeje, por të mos harrojmë që gjatë pandemisë dhe Shqipëria e vogël tregoi një formë shumë domethënëse solidariteti, duke dërguar mjekë dhe infermierë në një prej zonave më të prekura nga pandemia në Itali. Detyra jonë është të rrisim sa më shumë bashkëpunimin nga të dyja anët e Adriatikut”, deklaroi Balla.