Ndërkohë që në Britani varianti delta i Covid është mbizotërues në rastet e reja ditore, zyrtarët e shëndetësisë kanë konfirmuar se tashmë janë duke monitoruar një variant të ri të virusit.

Mutacioni i njohur si B.1.621 nën hetim prej disa javësh, tashmë është i konfirmuar zyrtarisht. Ekspertët britanikë janë të shqetësuar për zgjerimin e dukshëm ndërkombëtar të tij, megjithëse vetëm 16 raste të brendshme janë të konfirmuara deri më tani.

Autoritetet shëndetësore kanë theksuar se “nuk ka aktualisht asnjë provë të transmetimit të gjerë në Mbretërinë e Bashkuar”. Ata gjithashtu thonë se “nuk ka aktualisht asnjë provë që ky variant shkakton sëmundje më të rëndë ose i bën vaksinat aktuale më pak efektive”.

Për variantin e ri do të bëhen më shumë teste për të kuptuar natyrën e mutacionit dhe do të gjurmohen kontaktet e atyre që konfirmohet se janë infektuar me variantin.

Varianti u identifikua për shkak të përhapjes së tij të dukshme në shumë vende dhe importimit në Mbretërinë e Bashkuar.