Nga Patrick Worrall “Channel4”

Të dhënat e publikuara së fundmi, tregojnë se rreth 90 për qind e njerëzve në të gjithë Britaninë e Madhe kanë antitrupa kundër Covid-19, ose përmes infektimit ose nga vaksinimi. Në fillimin e kësaj pandemie, shkencëtarët spekuluan se mjafton që rreth 60-70 për qind e njerëzve të jenë imunë ndaj virusit, për të arritur pragun e “imunitetit të tufës”.

Ky i fundit cilësohet si pika ku kaq shumë njerëz janë imunë ndaj virusit, saqë virusi nuk mund të përhapet më midis popullatës dhe shkon drejt zhdukjes. Është e qartë që kjo nuk ka ndodhur, pasi një valë e tretë e infeksioneve me koronavirus po godet aktualisht Mbretërinë e Bashkuar. Po pse po ndodh kjo gjë?

Çfarë është imuniteti i tufës?

Nëse një numër i madh njerëzish bëhen imunë ndaj një sëmundjeje, ose duke zhvilluar një rezistencë natyrore ose përmes vaksinimit, ajo ka më pak shanse për t’u përhapur. Për të ruajtur veten, virusi ka nevojë që të infektojë të paktën një tjetër.

Nëse kjo nuk ndodh, dhe nëse riprodhimi ose numri R bie nën 1, atëherë forca e tij nis të zbehet. Sëmundje dhe variante të ndryshme kanë numra të ndryshëm R, dhe ky numër ndryshon në varësi të faktorëve të tjerë, siç janë masat e kontrollit që zvogëlojnë kontaktin midis shpërndarësve të mundshëm.

Sa njerëz kanë imunitet ndaj Covid-19 në Britani?

Sipas Zyrës së Statistikave Kombëtare , rreth 9 në 10 persona në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar vlerësohet se kanë antitrupa ndaj virusit SARS-CoV-2, ose për shkak të infeksionit ose nga vaksinimi. Këto shifra pasqyrojnë fushën e vaksinimit në të gjithë vendin. Në kohën e këtij shkrimi, 88 për qind e popullsisë së rritur ka marrë të paktën një dozë vaksine, ndërsa 69 për qind i ka marrë që të dyja dozat.

Situata jo aq e mirë sa duket në pamje të parë

Ndërsa të gjitha vaksinat në përdorim në Britani, kanë dëshmuar se janë efektive në zvogëlimin e numrit të vdekjeve, shtrimeve në spital, sëmundjeve të formës së rëndë dhe infeksioneve, asnjë prej tyre nuk është 100 për qind efektiv.

Pra marrja e vaksinës nuk e parandalon plotësisht transmetimin e virusit, veçanërisht në formën e variantit Delta, që është tanimë dominues në vend. Dhe ka shumë prova që testimi pozitiv për antitrupa, nuk do të thotë që jeni plotësisht të mbrojtur nga ri-infektimi.

Po ashtu duhet të kujtojmë se shifrat e vaksinimit, mbulojnë vetëm popullatën e rritur, por nuk duhet harruar se edhe fëmijët luajnë një rol në përhapjen e sëmundjes. Edhe nëse do të vaksinojmë çdo të rritur në vend – dhe jemi larg këtij qëllimi – kjo do të përbënte në total vetëm 70 për qind të gjithë popullsisë.

Duke marrë parasysh një sërë faktorësh si ky, modeluesit në Universitetin e Uoruik thanë javën e kaluar se 1/3 e popullsisë britanike, mund të jetë ende e rrezikuar nga varianti Delta.

Sfidat e variatit Delta

Kjo sugjeron se 2/3 e britanikëve të rritur kanë imunitet, gjë na sjell afër pragut të imunitetit të tufës prej 60-70 për qind, shifër e përcaktuar nga disa shkencëtarë në fillim të pandemisë. Një ndryshim i madh që nga ajo kohë është rritja e variantit Delta, i cili është shumë më i transmetueshëm se sa format e hershme të virusit, duke i bërë të duken shumë optimiste vlerësimet e hershme.

Modeluesit mendojnë se numri R për variantin Delta mund të jetë i lartë, 6 deri në 8, dhe kjo do të thotë që një njeri i sëmurë mund të infektojë 6-8 persona të tjerë. Kjo nënkupton që do na duhet të vaksinojmë 83-88 për qind të gjithë popullsisë, përfshirë fëmijët, për të arritur pragun e imunitetit të tufës, dhe për ta ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Dhe kjo do të funksiononte vetëm nëse vaksinat do të ishin 100 për qind efektive në parandalimin e infeksionit të radhës, dhe ne e dimë që nuk është kështu. Dr.Adam Kucharski nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër thotë:“Padyshim që ka pasur shumë infeksione natyrore edhe në Britani, dhe kjo do të kontribuojë në kompensimin e ndryshimit, por ilustron edhe se sa i lartë është pragu për të pasur një R poshtë numrit 1”.

Vaksinat janë ende funksionale

Shkencëtarët thonë se është e rëndësishme të kuptohet, që vaksinimi ndihmon ende në ngadalësimin e përhapjes së Covid-19. Dr.Louise Dyson nga Universiteti Uoruik u shpreh: “Pragu i imunitetit të tufës, është pika në të cilën ka imunitet të mjaftueshëm në popullatë, dhe kur ne mund të heqim të gjitha masat kufizuese, dhe rastet e reja bien ndjeshëm.

Ky prag është shumë i vështirë për t’u ditur me saktësi.

Ndaj unë do të kërkoja kujdes me citimin e një përqindjeje të caktuar të popullsisë. Gjithsesi, edhe pa e arritur pragun e imunitetit të tufës, sasia e imunitetit në popullatë ka ende efekt. Sa më shumë imunitet të ketë, aq më pak infeksione do të shohim në të njëjtin nivel masash”.

A do të mbarojë ndonjëherë kjo pandemi?

Shumë shkencëtarë kanë qenë që në fillim pesimistë mbi shanset që ne të arrijmë pragun e imunitetit të tufës dhe ta zhdukim Covid-19, madje edhe me zhvillimin e shpejtë të vaksinave efektive. Profesor Paul Hunter nga Universiteti i Anglisë Lindore thotë:“Nipërit dhe mbesat e mbesave tona do ta preken nga ky infeksion. Duke parë koronavirusët e tjerë, mund të presim që të prekemi nga Covid-19 çdo 4 apo 6 vjet, apo ndoshta më shpesh këtë dekadë.

Por mos u dëshpëroni. Ne e dimë që infektimet e dyta dhe ato pas imunizimit, janë zakonisht më pak të rënda sesa infeksionet e para, ndaj shumica dërrmuese e këtyre infeksioneve do të jenë asimptomatike apo si e ftohura e zakonshme e formës së lehtë”. Abcnews