Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi iu drejtua sot maturantëve, të cilët mes datave 29 korrik – 3 gusht, 2021 do të përzgjedhin degët e studimit në universitet sipas listës së tyre të preferencës.

“Të dashur maturantë! Ndërkohë që prej kohësh keni nisur përgatitjet për studimet e larta, ka ardhur momenti që të zgjidhni degët sipas listës tuaj të preferencës mes datave 29 korrik – 3 gusht nëpërmjet portalit “U-Albania”, – thekson Kushi.

Ministrja Kushi shpreh besimin se ata do të bëjnë zgjedhjen e duhur duke u bazuar në talentin e pasionin e tyre, por edhe nevojat dhe perspektivat e tregut të punës.

“Ju sugjeroj të informoheni dhe konsultoheni sa më mirë për çdo detaj që lidhet me kriteret e pranimit dhe procedurat e regjistrimit”, – nënvizon ministrja Kushi duke i uruar përzemërsisht shumë suksese dhe mbarësi të gjithëve.