Ambasada Amerikane në Kosovë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Deçan, ku ka theksuar se edhe pse do të zhvillohen më shumë teste, Ministria e Shëndetësisë beson se bakteret janë shkaku i simptomave. “Mendimet tona janë me ata që vuajnë nga emergjenca shëndetësore në Deçan. Gazetarët, qytetarët – injorojnë thashethemet. Prisni fakte”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane.

Mostra të tjera të ujit të marra në Deçan nga zonat ku u helmuan qytetarët, kanë rezultuar me disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijes.

Kështu ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke bërë të ditur se mostrat janë marrë të dielën e 12 korrikut. Ndër të tjera, instituti ka njoftuar se ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm: viral, bakteror dhe parazitar.