Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 78 vjetorit të krijimit të Batalionit të Bërzeshtës.

Në fjalën e tij Balla tha lufta Partizane është e kristaltë, ka qenë luftë idealesh të pastra dhe është krenari për të gjithë Shqipërinë.

“Në Luftën e Dytë Botërore, ne shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, me luftën heroike partizane u angazhuam në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist”, tha Balla.

“Nuk duhet harruar se Shqipëria jonë e vogël pagoi një çmim të jashtëzakonshëm gjaku dhe sakrificash të panumërta njerëzore. Nderimi i këtyre sakrificave është nderi i çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari”, u shpreh ai.

“Ka pasur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve. Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim as nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me atë që pasoi pas vitit 1945”, shtoi Balla.

Në fjalën e tij para banorëve të Bërzeshtës numri dy i PS-së, Taulant Balla përkujtoi edhe dy poetët martirë, djemtë e Bërzeshtës, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, duke i kërkuar bashkisë Përrenjas që me rastin e 45 vjetorit të pushkatimit vitin e ardhshëm Shtëpia Muze të jetë gati.