11 shoferë kanë rënë në prangat e policisë në 24 orët e fundit në vend, pasi u kapën në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Me një njoftim për mediat, Policia Rrugore bën me dije se 6 prej 11 personave të arrestuar ranë në pranga për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 të tjerë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Po ashtu janë pezulluar 50 leje drejtimi, nga të cilat 35 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte deri në 182 km/h në rrugën interurbane Fier-Vlorë, dhe 15 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

“Mos fluturoni në rrugë për të arritur sa më parë detin, se në rastin më të mirë do arrini radarin dhe policin rrugor dhe në rastin më të keq aksidentin”, apelon Policia.