Zvicra do të hapet këtë të shtunë duke hequr një pjesë të mirë të kufizimeve, duke përfshirë këtu edhe kufizimet për hyrjet në vend, por paralajmëroi për kujdes kundër variantit Delta, shumë përhapës.

“Ne jemi të mendimit se situata mundëson sot të ndërmarrim një hap të rëndësishëm përpara”, theksoi Alain Berset, këshilltari federal i ngarkuar me shëndetësinë, në një konferencë shtypi.

“Ne jemi në prag të pushimeve verore në një situatë mjaft të lakmueshme”, shtoi ai.

“Ne kemi një situatë të mirë epidemiologjike, infeksionet e reja po ulen ndjeshëm dhe paralelisht, sigurisht që vaksinimi vazhdon të përparojë me një ritëm shumë të qëndrueshëm”, theksoi ai duke vlerësuar se 50% e popullsisë së rritur do të vaksinohet plotësisht deri në fund të qershorit.

Ai nënvizoi gjithashtu se vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna përdorur në Zvicër mbrojnë gjithashtu edhe kundër variantit Delta.

Që prej të shtunës do të jetë më e lehtë të riktheheni në Zvicër. Kërkesa për karantinë hiqet për njerëzit që hyjnë në vend nga zona Shengen dhe depistimi nuk është i detyrueshëm, vetëm për udhëtarët që mbërrijnë me avion që nuk janë vaksinuar dhe që nuk kanë statusin e personave të shëruar.

Zvicra gjithashtu po lehtëson kufizimet e hyrjes ende në fuqi për shtetasit e vendeve të treta të cilët mund të provojnë se janë vaksinuar.

Njerëzit të cilët janë vaksinuar ose shëruar nuk duhet të bëjnë testin negativ, edhe nëse arrijnë nga një vend ku mbizotëron varianti Delta (të tillë si India ose Britania e Madhe), dhe ata nuk do t’i nënshtrohen një karantine pas mbërritjes së tyre, nënvizon njoftimi për shtyp i Këshillit Federal.