Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk mendon se kur të shkojë në Bruksel në takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, do të ketë ultimatum për ta njohur Kosovën. Vuçiç ka deklaruar se nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mendon se nuk do të bisedojë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, “por që Republika e Kosovës është diçka që ne e pranojmë, nuk ka nevojë të vijë. Nuk kanë pse të më thërrasin as mua në Bruksel”. Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiç deklaroi se “reagimi i Serbisë do të jetë shumë i fortë dhe i mprehtë në lidhje me çështjen e mosrespektimit të marrëveshjeve ligjore ndërkombëtare të nënshkruara nën përkujdesjen e BE-së”

“Këto nuk janë ditë të lehta për popullin serb, unë së pari informova mysafirët tanë nga Republika Srpska për situatën në Kosovë dhe faktin se duket se është e lejuar të thuhet gjithçka kundër Serbisë dhe popullit serb dhe se nuk reagon askush nga ata që do të duhet, madje as kur Kurti thotë se nuk do ta formojnë Asociacionin e Komunave Serbe, të cilën ata e nënshkruan”, tha presidenti serb në një deklaratë për mediat. Ai tha se sot pasdite do të ketë një takim me Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, kurse nesër me Palmer dhe Miroslav Lajçak, ku do ta analizojnë situatën. “Reagimi ynë do të jetë shumë i fuqishëm në lidhje me mosrespektimin e marrëveshjeve ligjore ndërkombëtare të nënshkruara nën përkujdesjen e BE-së, sepse është në rregull të jeni tolerant dhe të tregosh një dëshirë për kompromis, por kur dikush të mbështet për muri, pavarësisht nga dëshira për zgjidhje kompromisi, e shihni që dikush nuk e dëshiron këtë, atëherë ju duhet të tregoni mprehtësinë dhe forcën për të thënë se nuk bën më kështu”, tha ai.

“Fakti se Kurti po na shantazh se si do të bisedohet me të dhe si do ta trajtojmë, unë i them paraprakisht – do ta trajtoj si çdo përfaqësues të institucioneve të përkohshme, dhe nëse nuk i pëlqen, ai mund të përpiqet të bëjë diçka, por nuk do t’ia rekomandoja.”

Vuçiç ka folur edhe për Samitin Brdo-Brioni, dhe përballjen me presidenten Osmani, duke thënë se në takimin e fundit në Lubjanë ishte e pamundur të dëgjonte argumentet e saj, sepse “ato nuk janë argumente, por vetëm britma, shaka dhe një shpërthim akuzash kundër Serbisë se si serbët janë përdhunues, si duhet të paguajmë dëmet e luftës, të jemi përgjegjës për gjenocidin …”. Ndërsa duke folur për takimin e ardhshëm në Bruksel me Kurtin, ai tha se “Në qoftë se ai mendon të mos flitet për Asociacionin e Komunave Serbe, por për Republikën e Kosovës, diçka që ne nuk e pranojmë, nuk duhet të vijë [Kurti]. Dhe nëse dikush këtë e pret nga unë – nuk kanë nevojë të më thërrasin. Ndërsa, të flasim për gjithçka, për personat e pagjetur, nuk e kam problem”, tha Vuçiç.