Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë vizitës zyrtare në Washington DC, u prit në takim në Departamentin e Drejtësisë nga Bruce C. Swartz, zv. asistenti i Prokurorit të Përgjithshëm dhe këshilltar për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Në fokus të takimit, ishte Reforma në Drejtësi dhe mbështetja amerikane për institucionet e reja. “Diskutuam gjerësisht për reformën në Drejtësi dhe përkrahjen e pakufishme të SHBA-së për fuqizimin e institucioneve të reja të drejtësisë”, u shpreh Gjonaj pas takimit. Sipas saj, Swartz garantoi se Departamenti i Drejtësisë ka qenë dhe do të mbetet mbështetës i reformës në Drejtësi dhe për rritjen e asistencës teknike që kjo reformë të ketë sukses të plotë. Ai u shpreh besimplotë për vazhdimësinë e partneritetit dhe bashkëpunimit shumë të mirë me qeverinë shqiptare për ecurinë e reformës në Drejtësi.

“Swartz vlerësoi vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të çuar përpara rezultatet e reformave të ndërmarra dhe shprehu vlerësimet dhe mbështetjen e tij”, theksoi Gjonaj. Në këtë takim, sipas ministres Gjonaj, vlerësime u shprehen nga Departamenti i Drejtësisë për nënshkrimin e Traktatit të Ekstradimit Shqipëri-SHBA, i cili do të shërbejë më tej në luftën kundër krimit.