Në Durrësin që po rindërtohet, u inagurua mbrëmjen e sotme hoteli më i ri “Hotel Pinea”, një investim nga një shqiptar i Kosovës. Kryeministri Edi Rama mori pjesë në këtë event, i cili përmban një rëndësi të veçantë pasi turizmi vijon të jetë sektor me prioritet për vendin. Rama tha se ky investim i bukur nga Kosova, i shtohet zinxhirit të hoteleve të reja, me kushte e standarde optimale, në vijën bregdetare të Golemit. Sipas tij, ky investim është një tjetër vlerë e rëndësishme që i shtohet këtij bregdeti ku është edhe fluksi më i madh i turistëve.

Qeveria tashmë ka mundësuar shumë lehtësira për bizneset në turizëm, që nga uljen e TVSH-së për strukturat akomoduese dhe për agroturizmin në 6%, në uljen e tatimit fitimit për furnizimin e shërbimit të restoranteve dhe akomodimit në 5%. Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin për një periudhë 10 vjeçare për strukturat akomoduese me katër dhe pesë yje si dhe me status special solli si pasojë një bum të investimeve në hotele me 4 e 5 yje në vend në vitet e fundit.

Me nisjen e procesit të vaksinimit për operatorët turistikë, sezoni do të jetë shumë më i lehtësuar dhe vizitorët do të ndihen shumë më të sigurtë, teksa hapen edhe 28 qendra shëndetësore verore që do të ofrojnë shërbim 24 orë në çdo zonë turistike bregdetare dhe malore.