Enkeleda Kapedani ka dhënë dorëheqjen si zv.kryetare e Gjykatës së Elbasanit, pas publikimit të videove në rrjetin social Tik-Tok. Kapedani ka komunikuar dorëheqjen e saj në seancën dëgjimore të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ka dhënë sqarimet për videot e publikuara. “Në këtë situatë u bëra kokë turku, por i kërkoj KLGJ të jetë gjak ftohtë. Mos lejoni që bota e krimit të ndikojë tek vendimi juaj. Kërkoj ndjesë edhe me shprese që KLGJ do të japë një vendim të drejtë,” u shpreh gjyqtarja.

Kapedani kërkoi ndjesë për mënyrën sesi është shfaqur, duke pranuar se mëkati i saj i vetëm është publikimi i videove. Ndër të tjera ajo tha se po gjykohet për veshjen dhe shijen e saj muzikore, duke shtuar se videot i ka bërë pasi ka qenë e stresuar.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani në fillim të seancës kërkoi nga KLGJ pezullimin e gjyqtares për shkak se vazhdimi në detyrë, sipas tij diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.