Javët e fundit në Europë e Gjermani po përhapen infektimet me variantin e ri Delta të Coronës, me origjinë nga India. Kreu i sipërmarrjes gjermane BioNTech dha tani lajmin e mirë.

“Aktualisht nuk kemi të dhëna, se është e nevojshme përshtatja e vaksinës sonë me variantet e virusit në qarkullim”, tha drejtuesi i bordit të BioNTech, Ugur Sahin në takimin kryesor virtual të sipërmarrjes bioteknologjike.

Vaksina e tretë mund të ndihmojë

BioNTech po punon për procedura më pak të ngurta në sektorët e teknlogjisë, prodhimit dhe marrjes së lejeve, kjo për të qenë gati dhe për të reaguar shpejt, nëse do të jetë e nevojshme një dozë e tretë për vaksinimin e mëparshëm apo një përshtatje me një degëzim të ri të virusit.

BioNTech e analizon aktualisht efektshmërinë e vaksinës edhe kundër varianteve të reja, tha themeluesi i BioNTech, Sahin. Dija për mutacionet e reja të virusit po rritet dita-ditës, shtoi shpikësi i vaksinës.

Ajo që vihet re është se imuniteti i të vaksinuarve me kohë dobësohet dhe nga ana tjetër krijohen variante të reja. “Unë pres që një vaksinë e tretë për rigjenerimin e imunitetit mund të ketë një rëndësi të madhe”, shpjegoi kreu i BioNTech. “Por ne ende nuk e dimë, kur dhe sa shpesh do të jetë i nevojshëm një vaksinim i ri.”

RKI: Infektimet me variantin Delta mund të çojnë në sëmundje të rëndë

Sipas Sahin sipërmarrja bioteknologjike e Mainzit dhe partneri Pfizer në këtë vit planifikojnë një kapacitet prodhimi prej 3 miliardë dozash vaksine- vitin e ardhshëm prodhimi do të rritet. Të paktën 50% të prodhimit BioNTech kërkon ta ofrojë vetë.

Se sa shpejt përhapet varianti Delta i virusit i zbuluar në Indi, këtë e tregon edhe landi gjerman, Hesen. “Kemi shenja të qarta, që Delta në Hesen dominon në më shumë se 20% të rasteve”, u shpreh ministri i Shëndetësisë së landit, Kai Klose. Prandaj ka shumë rëndësi vaksinimi sa më i shpejtë, theksoi politikani i gjelbër.

Sipas Institutit Robert Koch, RKI infektimet me variantin Delta mund të çojnë në sëmundje të rëndë të Covidit. Sipas RKI në Gjermani mund të rriten infektime në të ardhmen, sepse varianti Delta është më infektues.

Në Britaninë e Madhe ky variant i virusit është bërë mbizotërues në shifrat e infektimeve brenda pak javësh dhe po i shton ato, megjithë suksesin e Britanisë së Madhe në fushatën e vaksinimit. Lisbona, kryeqyteti portugez u mbyll dy ditë në fundjavë për shkak të rritjes së infektimeve. Në Moskë është shënuar një rekord i ri infektimesh me variantin e ri.