Milot Rashica tashmë është lojtar i Norwich City. Norwich City ka konfirmuar gjatë ditës së marte se ka transferuar sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, Milot Rashica nga Werder Bremen. 24-vjeçari ka nënshkruar kontratë katër vjeçare me klubin anglez. Daniel Farke, trajneri i Norwich City, është shumë i lumtur me afrimin e sulmuesit shqiptar. “Milot është një lojtar shumë interesant dhe jemi të kënaqur që kemi mundur ta sjellim atë në Norwich City. Shumë klube kanë qenë të interesuar në nënshkrimin e tij gjatë sezoneve të fundit dhe vlerësohej shumë. Në Gjermani luftoi deri në fund me Werderin. Miloti është një lojtar plot potencial. Ai është i shpejtë dhe i zgjuar në lëvizjet e tij, teknikisht i mirë dhe i shkëlqyeshëm në përfundimin dhe asistimin e golave”, u shpreh Farke.

“Edhe pse është i ri, ai ka luajtur shumë ndeshje në nivelin e lartë. Ai është një lojtar që mund të bëjë diçka të jashtëzakonshme në sulm. Ne mendojmë se duke parë moshën, aftësinë, potencialin dhe personaliteti i tij, ai do t’i përshtatet mjaft mirë grupit tonë. Shpresojmë që ai të përmirësojë lojën tonë sulmuese”. “Rashica mund të luajë një numër pozicionesh, si një anësor, sulmues ose numër dhjetë. Ai është lojtar mjaft i shkathët dhe jemi të lumtur që e kemi marr një lojtar aq cilësor”.