Ekipi i Lulzim Bashës ka arritur të sjellë rreth 85 mijë vota më pak, sesa objektivi i caktuar nga kreu i PD. Objekti i PD në zgjedhje ishte të merrte rreth 707 000 vota, ndërsa rezultati i arritur është rreth 620 000 vota. Edhe pse shumë të deleguar po shpallin fitoren, apo duke thënë se kishin tejkaluar rezultatin, se kanë bërë çudi, e të tjera si këto, në fakt nuk kanë bërë asnjë çudi. Vetëm 3 ose 4 nga drejtuesit politik të Lulzim Bashës, kanë arritur objektivat, ndërsa 16 nga 20 prej tyre, nuk i kanë arritur objektivat e vendosura nga kreu i PD. Përkundrazi janë me mijëra vota minus.

Për më tepër, ata që kanë dështuar më keq po shpallin fitoren më të madhe dhe po krijohet ideja se njerëzit afër Bashës kanë qënë të suksesshëm. Por, e vërteta është se ata që serviri si kapitalin politik, dështuan. Disa kanë ridështuar për së dyti ,ose treti, shkruan CNA, që ka bërë analizën e rezultatit të arritur nga drejtuesit politik të Bashës. Bujar Leskaj në Vlorë arriti vetëm 4 mandate. PD ka një rritje të lehtë në vota, por minus 7 972 vota nga obkjektivi. Në Korçë, i cili ishte i vetmi qark ku kishte dy drejtues politik, Ervin Salianji dhe Edmond Spaho, objektivi ishte 60 400 vota, por në kuti ka pasur rreth 10 mijë vota më pak se objektivi.

Dhe janë rreth 6 mijë vota më pak se në vitin 2013 kur PD, doli në opozitë.Mandati i pestë ka ardhur për shkak të rënies së LSI, e cila nga 12  mijë ka rënë në 8 mijë vota. Por, meritën për rënien e LSI e ka PS, jo Saliajni me Spahon. Shkojmë në Fier, ku Enkeled Aliabeaj kandidon për herë të tretë, në 2015 kandidoi për kryetar bashkie, në 2017 dhe 2021 kandidoi për deputet, dhe rezultati ishte gati 15 mijë vota më pak se objektivi i vendosur nga Basha. Në Elbasan, Gazment Bardhi është minus disa mijë vota, nga objektivi i vendosur. Tritan Shehu, i cili kandidon për herë të dytë në Gjirokatsër merr nje rezultat, 3 me 1 në mandate.

Nga 23 500 vota që ishte objektivi i caktuar nga Basha, ka mundur të marrë vetëm 13 971 vota. Pra, diferenca është minus mbi 9 mijë vota. Ky duket të jetë edhe një nga qarqet që ka ndikuar më shumë në rezultatin e opozitës. Më tej, le të shohim qarkun kryesor, Tiranën. Votat në Tiranë janë për trup në disa bashki apo njësi administrative. Jorida Tabaku, drejtuesja politike për njësinë numër 2, në Tiranë, ka një rezultat mbi 2 mijë vota minus objektivin e caktuar, ndërsa Alfred Rushaj, mbi 1 900 vota më pak se objektivi.

Janë vetëm 3 deri në 4 drejtues politik të qarkut të Tiranës, të cilët kanë arritur objektivin e vendosur nga Basha, gjë që ka çuar në një balancim të votave në këtë qark. Grida Duma në Kavajë ka dështuar duke arritur një rezultat vetëm 14 064 vota, ose 4236 vota më pak se objektivi. Flamur Noka në Kamëz, është një tjetër dështim, ku ka marrë një rezultat me 1144 vota më pak , sesa objektivi i vendosur nga Lulzim Basha. Një rezultat ky i turpshëm, në një nga bastionet e së djathtës. Dhe fakti është se pas tetë vitesh në opozitë, nuk kanë mundur të përmirësojnë rezultatin. Shkojmë më tej në Durrës, ku rezultati ishte katastrofë. Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka marrë 600 vota më pak se objektivi. Pritej që Paloka të korrte fitore, që Durrësi të ishte fitore e madhe, por kjo nuk ndodhi.

Ka një ngritje në numër votash, por diferencë të frikshme mes PD dhe PS, pa hyrë te raporti majtas dhe djathtas.

Shkodra është bastioni kryesor ku u dështua. Helidon Bushati u shpall simboli për Shkodrën. Por, mori kaq 16 401 vota më pak se objektivi. Nga 63 606 vota që ishte objektivi, Helidon Bushati në Shkodër mundi të sigurojë vetëm 47 205 vota. Xhelal Mziu në Dibër, i cili shpalli një fitore të madhe, ka 8258 vota minus nga objektivi. Një dështim total elektoral.

Lezha, ku shkoi Mark Marku si triumfator, dhe analisti me shumë fytyra Agron Gjekmarkaj, është një tjetër dështim i turpshëm. Në Lezhë PD arriti një rezultat 33 998 vota, nga 37 mijë që ishte objektivi. Pra, rezultati është minus tre mijë vota. Pavarësisht se pretendoi fitoren, objektivat nuk u kapen dhe PD nuk erdhi në pushtet. 16 nga 20 drejtuesit politik të Lulzim Bashës kanë dështuar. Tema/