Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, flet sërish me tone të ashpra për ish-mikun e tij, Andrea Agnelli.

Në një intervistë për “So Foot”, Ceferin tregoi se nuk ia ka falur Presidentit të Juventusit përpjekjen për lançimin e Super Ligës.

“Për mua, ai njeri nuk ekziston më. Mendoja se ishim miq, por më ka gënjyer deri në minutën e fundit të ditës së fundit, duke më thënë që nuk kisha pse shqetësohesha. Ndërkohë, ai kishte firmosur dokumentet për nisjen e Super Ligës”, u shpreh Ceferin.

Në pritje të dënimeve të mundshme për 3 klubet rebele (Juventus, Real dhe Barcelona), pas nisjes së hetimit të UEFA-s, Ceferin i hedh sërish benzinë zjarrit.

“Në këtë çështje, protagonistët i ndaj në 3 kategori. Andrea Agnelli në kategorinë e parë, pasi ishte diçka personale. Në kategorinë e dytë janë presidentët që i mendoja se më mbështesnin dhe më vjen keq që nuk më thanë se çfarë po planifikonin. Në kategorinë e tretë janë ata me të cilët nuk kam pasur kontakte të ngushta. Edhe ata do të përgjigjen për atë që bënë”, shtoi Ceferin.