Pothuajse një në katër persona me Covid-19 përjetojnë probleme të vazhdueshme shëndetësore që nuk i kishin kaluar para se të infektoheshin, më shumë se një muaj pasi e kanë mposhtur sëmundjen që deri tani ka marrë miliona jetë në të gjithë botën, sipas një studimi të fundit në Amerikë.

“Ky është studimi më i madh për të shqyrtuar efektet afatgjata të sëmundjes”, tha organizata “Fair Health”. U shqyrtuan të dhënat e rreth 1.960 milion njerëzve që ishin pozitivë për Covid-19 nga shkurti në dhjetor 2020.

Dy problemet kryesore me të cilat përballen këta pacientë janë dhimbja dhe vështirësi në frymëmarrje. Këto pasohen nga hiperlipidemia (rritje e lipideve në gjak), hipertension, siklet ose lodhje, stres dhe probleme të zorrëve.

“Pacientët të cilët kishin raportuar simptoma të ngjashme para se të infektoheshin me Covid-19 nuk u përfshinë në studim”, tha “Fair Health”. Ata që vuanin nga kanceri, apo sëmundje të tjera gjithashtu u përjashtuan.

Më konkretisht, pak më shumë se 23% e pacientëve që shërohen kërkuan ndihmë mjekësore më shumë se një muaj pas infektimit për një ose më shumë nga problemet shëndetësore të lartpërmendura.

Ata që ishin të sëmurë rëndë kishin më shumë të ngjarë të kishin probleme të tilla, pothuajse një në dy persona që ishin shtruar në spital kishin të paktën një problem shëndetësor. Midis atyre me simptoma më të lehta, 27% kërkuan ndihmë mjekësore. Sidoqoftë vlen të përmendet se gati 19% e rasteve asimptomatike kërkuan ndihmë mjekësore.