Okulistët thonë se po shohin më shumë fëmijë me probleme me shikimin. Disa kanë filluar të kenë probleme ndërsa disa të tjerë problemet me shikimin i janë përkeqësuar. Një ndër shkaqet për këtë gjë është edhe koha e tepërt e qëndrimit në kompjuter, telefona dhe tabletë.

Mjekët thonë se po shohin më shumë fëmijë – shumë prej të cilëve kanë qenë në mësim online me probleme të miopisë dhe shikimit nga larg. Shkalla e miopisë tek fëmijët ishte në rritje globale përpara pandemisë, por disa hulumtime tregojnë se viti i kaluar e ka përkeqësuar problemin.

Mjekët gjithashtu raportojnë më shumë raste të lodhjes së syve nga aparatet digjital. Po kështu, koha e paktë në natyrë mund të rrisë dhe përkeqësojë miopinë.
“Ne e dimë që qëndrimi në ekrane dhe të mos qenit jashtë ka rritur shkallën e miopisë. Ka pasur një ndikim të madh nga pandemia “, thotë Julia A. Haller, okulistja kryesore në Spitalin “Wills Eye” në Filadelfia.

Në një studim i publikuar në janar në revistën “JAMA Ophthalmology”, studiuesit raportuan se normat e miopisë në më shumë se 120,000 fëmijë kishin zhvilluar probleme të miopisë pas pandemisë dhe zbuluan që prevalenca tek fëmijët në moshën 6-8 vjeç u rrit në tre herë krahasuar me pesë vitet e mëparshme.

Allison Babiuch, një okuliste pediatrike në Klinikën Cleveland në Ohio, thotë se ajo kishte shumë fëmijë që vuanin nga shikimi i keq.

“Po shoh një rëndesë gjithnjë e më të madhe të gjendjes së miopisë dhe fëmiëjt rrezikojnë të vuajnë më pas nga probleme më të mëdha si glaukoma dhe katarakti. Ka një arsye pse nuk duam që njerëzit të kenë miopi, e aq më pak që ajo të zhvillohet”, thotë Babiuch.

Një rekomandim për ngadalësimin e përparimit të miopisë është që fëmijët të kalojnë të paktën një orë në ditë duke bërë një aktivitet fizik jashtë. Krahas miopisë, mjekët e syve po raportojnë gjithashtu më shumë raste të tendosjes digjitale të syve tek fëmijët. Simptomat mund të përfshijnë vizion të paqartë, dhimbje koke dhe lodhje të syve.
“Simptomat zakonisht bien pas disa orësh, por është e paqartë nëse ka pasoja më afatgjata, thotë Judith Lavrich, një profesor klinik në Spitalin “Wills Eye” në Filadelfia.(SI)