Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të Strategjisë së Futbollit për Femra në Shqipëri.

“Kënaqësi të merrja pjesë në prezantimin e Strategjisë së Futbollit për vajza në Shqipëri, organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku gjeta rastin të nënvizoj rëndësinë që qeveria shqiptare i ka dhënë zhvillimit të sportit në shoqërinë tonë”, shprehet Kushi në statusin e saj në rrjetin social.

Në fjalën e saj ministrja bëri thirrje për gjithëpërfshirje sa më të gjerë në Sport, dhe që sportistet të mbështeten edhe nga familjet e tyre për të ndjekur ëndrrat dhe dëshirat e tyre.

“Strategjia jonë për sportin po synon tashmë burime dhe programe të reja investimi, të cilat rrisin nivelin dhe cilësinë e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në sport, për të sensibilizuar opinionin se ato kanë nevojë të përkrahen dhe të inkurajohen akoma më shumë”, tha ministrja.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të sportit, personalitete nga futbolli, trajnerë e lojtarë.