Statusi i Operatorëve Ekonomik të Autorizuar (OEA) për biznesin, është një tjetër lehtësi që i ofrohet sipërmarrjeve në kuadër të përmirësimit të klimës së biznesit në vend. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bën të ditur se Statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OEA) është ‘Pasaportë’ e biznesit drejt tregjeve botërore. Denaj ka ftuar sipërmarrësit që të aplikojnë për OEA, teksa ka shpjeguar se për të përfituar statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar biznesi duhet të përmbushë disa kritere, ku më kryesoret janë: aftësi paguese financiare, sisteme efikase të menaxhimit për të dhënat dhe transportin.

Gjithashtu vijoi ajo, kërkohen standarde të sigurisë dhe mbrojtjes si dhe procese logjistike të përcaktuara qartë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë është e angazhuar maksimalisht të japë ndihmesën e saj në krijimin e një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin në Shqipëri, si dhe t’i japë një hov sipërmarrjes shqiptare në këtë kuadër, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Çfarë është një OEA? Operatori Ekonomik i Autorizuar: është një status i lëshuar për “tregtarët me besueshmëri” të cilët mund të përfitojnë nga shumë thjeshtime doganore. Sipas Kodit Doganor Shqiptar, janë dy lloje statusi për OEA që mund të lëshohen : “OEA-D për thjeshtime doganore: nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për thjeshtësime doganore “OEA-S për sigurinë dhe mbrojtjen- nënkupton një operator ekonomik të autorizuar për lehtësira në kontrolle doganore

Nëse një OEA kërkon të përfitojë një thjeshtim/regjim, dogana nuk shqyrton kushtet apo kriteret. Administrata Doganore Shqiptare ka vënë në zbatim statusin OEA sipas standardeve ndërkombëtare dhe për këtë qëllim është nënshkruar një Marrëveshje për Njohje të Përbashkët me shtetet e CEFTA-s me kusht bazën ligjore dhe zbatimin në përputhje me BE – në, ku palët në CEFTA informojnë njëra-tjetrën në lidhje me identitetin e OEA-ve

Përfitimet e statusit të OEA-ve janë një trajtim më i favorshëm në lidhje me vlerësimin e riskut dhe kontrollet: Më pak kontrolle fizike dhe të dokumentacionit në krahasim me operatorët ekonomikë të tjerë; Trajtim prioritar dhe njoftim prioritar në rast seleksionimi për kontroll doganor ; Mundësi për të kërkuar hapësira specifike përveç zyrave doganore për kontrollet e doganës. Një akses i thjeshtuar apo ekskluziv për disa thjeshtime doganore: Reduktim i nivelit të garancisë apo përjashtim nga garancia; Thjeshtime në transit; Thjeshtime në vlerë; Autorizim për deklarata të thjeshtuara etj. Marrëveshje për njohje të përbashkët me shtete të tjera.

OEA – të në Bashkimin Europian (BE) Statusi i OEA-ve është adoptuar fillimisht në kuadrin e Partneritetit Doganë-Biznes nga Organizata Botërore e Doganave (ËCO) në vitet 2000 ; OEA ka hyrë në fuqi në BE në Janar 2008; Me “Kodin Doganor të Bashkimit Europian” që ka hyrë në fuqi më 1 Maj 2016, statusi i OEA është përforcuar dhe ka përfituar nga thjeshtime të reja.