Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka zhvilluar sot një takim me drejtoren e Komitetit Hebreo-Amerikan (AJC, Jerusalem), Avital Leibovich. Lajmi bëhet i ditur nga ministrja Spiropali, e cila shprehet se takimi ishte tejet miqësor. “Një grua e fortë, e angazhuar maksimalisht në krijimin e urave të bashkëpunimit mes komunitetit hebre në botë, shtetit të Izraelit dhe Shqipërisë e Kosovës”, tha ajo.

Po ashtu, Spiropali shtoi se “shqiptarët e kanë dëshmuar hershëm veçantinë dhe kurajon përmes kodit të mbrojtjes së mikut, kur në Luftën II Botërore në vendin tonë u strehuan dhe u shpëtuan mijëra hebrenj. Miqësia jonë me popullin e Izraelit dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me aleatët tanë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk janë pjesë e asnjë axhende, por qasje natyrale me miq dhe mbështetës të vendit tonë në sfidat e përbashkëta”.

“Një falënderim të posaçëm për Valin, anëtare e bordit të Lëvizjes në Luftën kundër Anti-Semitizmit, për organizimin e këtij takimi me gra politikane dhe të shoqërisë civile”, tha ajo.