Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se Partia Socialiste është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për të gjitha çështjet por dhe për presidentin konsensual.

Në lidhje me surprizat e Kongresit, Spiropali tha se “jemi të shquar që në çdo kongres ne ofrojmë diçka të re por besoj se largimi i Gramoz Ruçit ishte surprizë jo e këndshme për të gjithë ne dhe krijoi një emocion të veçantë”.

Në lidhje me objektivat e PS-së, Spiropali tha se “ka qenë një moment feste 30-vjetori i Partisë Socialiste por dhe një moment reflektimi dhe këto dy momente ne nuk i ndajmë sepse mandati i tretë i PS-së dhe Edi Ramës, është një privilegj shumë i madh por dhe një përgjegjësi e madhe dhe është detyra jonë që këtë moment historik për PS ta kthejmë në një moment historik për Shqipërinë. Ne duhet të vijojmë me shtetndërtimin me drejtësi, zhvillim integrim që janë shtyllat e përpjekjeve tona të kësaj mazhorance”.

Ajo tha se “ne të gjitha premtimet e këtyre 8 viteve i kemi mbajtur dhe ne kemi ecur gjithmonë në drejtimin e duhur, që është ndërtimi i një Shqipërie moderne, që u shërben të gjithëve njësoj pavarësisht prejardhjes apo përkatësive politike. Një Shqipëri për të gjithë dhe ky është misioni i PS-së, jo vetëm si një parti e majtë por si një parti progresiste, europianiste”.

Në lidhje me shkarkimin e Presidentit dhe bashkëpunimin me opozitën, Spiropali u shpreh se momenti i duhur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta ishte shumë kohë me parë.

“Në gjykimin tim kur Presidenti i Republikës i dha të gjitha shenjat dhe shkeli kushtetutën, ne gjithsesi votuam një rezolutë në Kuvend në 2020 për akte e tij të paprecedentë, pra kupa ishte derdhur dhe shkarkimi i Presidenti është vetëm vendosja e ligjshmërisë në institucionin e Presidencës. Ilir Meta nuk ishte më Presidenti i Republikës”, theksoi ajo.

Në lidhje për bashkëpunimin me PD për emrin e ri të Presidentit, Spiropali tha se “jemi të gatshëm patjetër”.

“E ka shprehur kryeministri Edi Rama gatishmërinë për të bashkëpunuar me opozitën në të gjitha nivelet për të gjetur agjendën e përbashkët kombëtare për shumë çështje, jo vetëm për çështjen e Presidentit të Republikës, por dhe për të përcaktuar kritere të qarta, për të diskutuar konsensualisht se kush mund të jetë presidenti”, theksoi Spiropali.

Në lidhje me marrëdhëniet PD-PS nga shtatori, Spiropali tha se “lajm i mirë është se opozita do të jetë në Kuvend, do vijnë në komisione dhe seanca, dhe do të bëjnë detyrën e tyre të cilën e kishin braktisur”.