Kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, Zef Mazi ka marrë garanci nga Spanja për mbështetje në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Në vizitën dyditore që Mazi zhvilloi në Spanjë, në kuadër të turit të tij të udhëtimeve në shtetet anëtare të BE-së për t’u paraqitur progresin e Shqipërisë, Kryenegociatori u takua me Sekretarin e Shtetit për BE-në, Juan Gonzalez-Barba, kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme, njëherësh senator, Antonio Gutierrez Limones.

Pjesë e takimeve ishte edhe këshilltarja e Kryeministrit për Çështjet e BE-së, Aurora Meja, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Spanjë, Gazmend Barbullushi.

Gjatë takimit me Sekretarin Gonzalez-Barba, Mazi mori mbështetjen e Madridit zyrtar për procesin e integrimit.

Sekretari i Shtetit për BE-në, Juan Gonzalez-Barba deklaroi se “Spanja është gati ta ndihmojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së, pasi njeh progresin e bërë”.

Po ashtu, kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme, njëherësh senator, Antonio Gutierrez Limones, deklaroi se “Spanja është mbrojtësi kryesor i integrimit të Shqipërisë në BE. Një vend vëlla mesdhetar që ka nevojë për ne dhe kemi nevojë për të”.