Pavarësisht se situata aktuale me Covidin është në kushtet më të mira që nga nisja e pandemisë, përsëri ekspertët paralajmërojnë një valë të re në vjeshtë. Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj thotë se kjo valë e re e infektimeve nuk do të jetë e atyre përmasave që kemi kaluar, por sipas tij përsëri duhet gatishmëri, pasi bëhet fjalë për jetë njerëzish. Situatën me vaksinimet, Brataj e cilëson optimiste, sidomos nëse brenda vjeshtës arrijmë në 2 milionë qytetarë të vaksinuar.

“Sot po thoshte një virolog i Universitetit të Milanos, që varianti “Delta” do të shkaktojë infektime në vjeshtën e ardhshme. Sigurisht që do të presim infektime nga “Delta”. Ata njerëz që nuk janë vaksinuar apo kaluar sëmundjen në një mënyrë apo tjetër do të atakohen. Sigurisht që na bën më optimistë vaksinimi në Shqipëri. Po të kapet 2 milion vaksinime brenda vjeshtës, situata do të jetë më e menaxhueshme, por nuk e dimë se çfarë do vijë.

Nuk mund të flasim kaq lirshëm. Virologët parashikojnë një valë tjetër në vjeshtë, do të jetë edhe “vala e bishtit” të kësaj pandemie, jo e atyre përmasave që kaluan, por janë jetë njerëzish që duhen mbrojtur. Nuk ka marrë fund”, tha Skënder Brataj për Abc. Brataj theksoi se masat tërësisht nuk mund të hiqen, ndërsa u shpreh se Komiteti i Ekspertëve vlerëson çdo 15 ditë situatën.

“Kemi hequr tamponin, se një person që niset me pushime nuk niset i sëmurë. Ka rregulla nga vendet që do të kthehen. Ky virus është shfaqur në Itali. Ne çdo 15 ditë po lirojmë masat. Dy vjet para pandemisë ndërpritej muzika pas orës 24.00. Është e papranueshme, nuk mund t’i heqim të gjitha masat kur virusi është ende prezent. Te njerëzit pa shenja dhe simptoma, përqindja e negativ është e lartë, në tamponët që u bënë përqindja ishte e lartë. Dilnin negativë dhe pas disa ditësh sëmureshin”, tha ndër të tjera kreu i Urgjencës.