Nga Alfred Peza
Opozitarët tanë po jetojnë nën regjimin e Gënjeshtrës së Madhe, që lidershipi i tyre dhe propaganda e saj, nisën ta instalojnë në momentin e miratimit të Reformës në Drejtësi. Ata e kanë në krye Lulzim Bashën, sepse që të qëndrojë në këmbë, ai duhet të drejtohet vetëm nga një gënjeshtar kësisoj. Ndaj mos prisni më 13 qershor, që Sali Berisha të emërojë dikë tjetër në vend të tij, për aq kohë sa ai vetë është edhe arkitekti i këtij regjimi.

Gënjeshtra e Madhe është sistemi i administrimit të opozitës, jo sipas modelit të regjimeve demokratike të një shoqërie pluraliste, por në funksion të mbrojtjes së lidershipit të saj të vjetër e të korruptuar. Qëllimi nuk është udhëheqja e popullit opozitar drejt fitores së të ardhmes, por mbrojtja në bunkerin politik të udhëheqësve të tyre, nga krimet e së shkuarës. Filozofia sunduese e këtij regjimi nuk është e vërteta, por vetëm besnikëria e verbër dhe pa kushte ndaj Sali Berishës dhe klanit të tij.

Liderët e këtij regjimi janë në kulmin e dilemës ekzistenciale, përballë institucioneve të sistemit të ri të drejtësisë, ndaj ata që i ndjekin ose do jenë pro ose kundër tyre. Rrugë të mesme nuk ka. Shpallja e Sali Berishës dhe familjes së tij “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, është konsideruar një akt lufte. Kushdo që nuk është i rreshtuar në një llogore me të, është armiku. Ndaj mos u çudisni që pjesë e kësaj liste të gjatë sa vjen e rritet janë nga SHBA, BE, Soros e Edi Rama, e deri tek… Agron Shehaj!

Instalimi i regjimit të Gënjeshtrës së Madhe opozitare, nisi korrikun e 2016 në momentin kur tymi i bardhë që sinjalizoi miratimin e Reformës në Drejtësi, doli mbi çatinë e Parlamentit. Edi Rama i tha gazetarëve fjalët që vetëm tani pas 5 vjetësh mund të kuptohen, se tymi i bardhë i reformës, do të nxjerrë tymin e zi nga Pallati i Drejtësisë. Ishte ky edhe momenti kur Sali Berisha nisi të planifikonte strategjinë për ta penguar me çdo kusht dhe çmim që kjo të realizohej.

Për një çerek shekulli ai ia kishte dalë pavarësisht skandaleve dhe krimeve, të qeveriste i pashqetësuar përmes instalimit të kulturës së pandëshkueshmërisë në vend. Një nga vendimet e para që mori si President më 1992, ishte pastrimi me fshesë të hekurt i drejtësisë së diktuaturës, që u zëvendësua me atë të besnikëve të rinj të kursit të Plepave në Durrës. Edhe kur ishte në pushtet deri më 1997, edhe kur doli në opozitë deri më 2005, edhe kur u rikthye dhe kaloi pas 8 vjetësh sërisht në minorancë më 2013, Sali Berishës dhe rrethit të besnikëve të tij nuk u hyri kurrë gjemb në këmbë.

Ndaj shembja e kësaj drejtësia të kalbur dhe ngritja e sistemit të ri jashtë kthetrave të tij dhe Ilir Metës,- që kishte lënë pas skandalin me bllok në dorë,- ua prishi gjumin. Frika i bën djajtë që të hidhen në krahët e njëri tjetrit. Ndaj ajo nxiti dalëngadalë një aleancë të re të nëndheshme fillimisht mes tyre, derisa pas zgjedhjeve të 2017, LSI dhe PD u bënë bashkë zyrtarisht nën ombrellën e “Opozitës së Bashkuar”. PS ia kishte dalë të fitonte e vetme, një mandat të dytë qeverisës.

Me Edi Ramën Kryeministër, Ilir Metën në Presidencë e Sali Berishën në krye të opozitës në prapaskenë dhe Lulzim Bashën e Monika Kryemadhin manekinë në vitrinë, loja e shahut politik shqiptar po bëhej më interesante se kurrë! Elita e vjetër politike në minorancë dhe kupola e korruptuar e drejtësisë së vjetër që po dilte jashtë për shkak të vettingut, u bënë bashkë, për të penguar pasojat e sistemit të ri!

Për ta penguar triumfin e drejtësisë së re, lidershipi i opozitës nuk mund të kundërshtonte hapur sepse mbi 90% e shqiptarëve, SHBA e BE e mbështeste, ndaj u fshehën pas sistemit të Gënjeshtrës së Madhe. Për të fshehur shkakun e vërtetë, duke dashur ta minonin me çdo çmim e mjet, nisën të shpiknin sebepe “në emër të popullit”. Herë duke djegur mandatet e deputetëve; herë duke dalë nga Parlamenti; herë duke nisur “revolucionin e molotovëve”, herë duke çdekretuar zgjedhjet dhe herë duke i bojkotuar ato.

Kur panë se çmontimi i drejtësisë së vjetër dhe instalimi i drejtësisë së re nuk ndalej, vijuan gënjeshtrat e radhës. Herë duke festuar fitoren në zgjedhjet e 25 prillit, e herë duke deklaruar se nuk do njihnin rezultatin e tyre. Herë duke thënë se kanë provat e masakrës së madhe elektorale, e më pas duke pranuar se do ti marin mandatet dhe do të futen në Parlamentin e ri në shtator.

Sistemi i drejtimi politik përmes sistemit të Gënjeshtrave të Mëdha, nuk është i ri për demokracinë. Atë po e përjeton edhe Partia Republikane në SHBA, nën “drejtimin” e Donald Trump, përmes gënjeshtrave të tij për zgjedhjet e vitit 2020. Atje ekziston frika se vënia në dyshim e integritetit të zgjedhjeve përbën kërcënim për rendin kushtetues të vendit. Por SHBA është tempulli i demokracisë dhe ia ka dalë gjithmonë, që ti gjejë vaksinën e duhur, fenomeneve të tilla politike.

Ndërsa në Shqipëri gënjeshtrat e Lulzim Bashës për hallin e Sali Berishës e Ilir Metës, thjeshtë po dëmtojnë çdo ditë e më shumë vetëm PD dhe opozitën. Ende askush prej tyre nuk e ka gjetur deri më sot prej 30 vjetësh, formulën e vaksinës, për tu mbrojtur nga “Berishizmi” i ngritur në sistem. Kjo është çështja!