Eksportet shqiptare drejt Maqedonisë së Veriut shënuan rritje përgjatë 5 muajve të parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për tregtinë e jashtme, gjatë periudhës janar-maj u eksportuan drejt Maqedonisë së Veriut mallra me vlerë mbi 4.2 miliardë lekë.

INSTAT bën të ditur se eksportet krahasuar me pesë mujorin e parë të vitit 2020 shënuan rritje me mbi 1.2 miliardë lekë. Edhe importet gjatë pesë muajve të parë të këtij viti shënuan rritje edhe pse me ritme më të ulëta, rreth 300 milionë lekë. Referuar të dhënave, importet rezultojnë në shifrat e 3.5 miliardë lekëve kundrejt 3.2 miliardë lekëve që ishin në 5-mujorin e parë të 2020-s.

Produktet më të eksportuara vazhdojnë të mbeten produktet e freskëta: domate, tranguj, peshk i freskët, agrumet e freskëta, prodhime brumi etj. Shqipëria dhe Maqedonia bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes CEFTA 2006 dhe që nga viti 2011, tregtia mes dy vendeve është liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore.