Nga Adriatik Doçi/ Report Tv ka identifikuar 30 akuza të rënda të Kuvendit në adresë të Ilir Metës, reflektuar në raportin prej 100 faqesh të komisionit hetimor parlamentar, në të cilin propozohet shkarkimi nga posti i Presidentit dhe procedimi penal nga SPAK. Përpos thirrjeve për veprime të dhunshme dhe urrejtje para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021 duke cenuar sigurinë publike, Kuvendi i Shqipërisë akuzon Metën për presion, shantazh dhe ndërhyre të paligjshme në veprimtarinë e gjykatësve dhe prokurorëve, sidomos ndaj 5 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK. Kuvendi u referohet thirrjeve dhe shkresave të Metës për Kushtetuesen dhe SPAK, ku kërkon t’u diktojë vendimmarrjet që i shkojnë për shtat ati dhe interesave të PD-LSI.

“Në analizë të një shkrese tjetër të tij, nr. 1209, datë 05.04.2021 drejtuar Gjykatës Kushtetuese rezulton se Presidenti ka ndërhyrë në pavarësinë e një organi të pavarur duke udhëzuar se si duhet të vepronin gjyqtarët në vendimmarrje (për një kërkesë të KLSH shfuqizimin e financave të qeverisjes vendore). Komisioni vlerëson se këto shprehje të presidentit në shkresën e sipërcituar, përbëjnë kërcënim të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në punën e tyre dhe ndërhyrje në çështje….

Presidenti u përcjell (SPAK) denoncime apo raportime nga qytetarët, kërkon që ‘rasti të trajtohet me përparësi’, me arsyetimin se ‘jemi në prag të zgjedhjeve’. Kërkesa që rastet të trajtohen me përparësi vijnë në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, sipas nenit 7 të Kushtetutës.

Ky parim kushtetues nuk e lejon Presidentin e Republikës që të instruktojë apo t’u kërkojë trajtimin, shqyrtimin apo hetimin e shpejtë “më përparësi” strukturave të policisë së shtetit, prokurorisë apo organeve të pavarura….”.

Sipas raportit, Ilir Meta ka sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke tentuar incident diplomatik me SHBA dhe dëmtuar imazhin dhe pozitat ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Të gjitha deklarimet e tij publike kundër ambasadës dhe autoriteteve përfaqësuese të SHBA-së do kishin forcën të dëmtonin rëndë marrëdhëniet me aleatin tonë strategjik, nëse autoritetet kompetente të SHBA-së nuk do kuptonin se këto qëndrime janë e kundërta e qëndrimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, imazhi dhe pozita ndërkombëtare e Republikës së Shqipërisë, konsiderohet e dëmtuar, për shkak se institucioni i cili duhet të përfaqësojë ndërkombëtarisht Republikën e Shqipërisë (sipas parashikimeve kushtetuese të sipërcituara), bëhet konfliktual, sulmon dhe synon të denigrojë aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë.

Kjo qasje problematike arrin kulmin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konsiderohen si shtet i aftë të kryejë krime. Presidenti i Republikës, i cili ka detyrën të përfaqësojë dhe shprehë qëndrimin e shtetit shqiptar kundrejt aleatit tonë strategjik, vullnetin për t’i thelluar dhe konsoliduar pandërprerë këto marrëdhënie, ka bërë saktësisht të kundërtën, është përpjekur të krijojë krizë dhe incidente diplomatike me SHBA-në”.

Në raport thuhet se Ilir Meta përbën rrezik për krijimin e kizave dhe incidenteve diplomatike edhe me vende të tjera, për shkak të sulmeve dhe shantazhit ndaj ambasadorëve të vendeve të BE në Shqipëri, për t’u diktuar qëndrimet që duhet të mbajnë.

“Pavarësisht se presidenti nuk përmend emra apo shtete konkrete, kjo qasje dëmton autoritetin dhe figurën e institucionit të Presidentit të Republikës, si edhe padiskutim që mund të bëhet shkak për të krijuar kriza apo incidente diplomatike”.

Mes 30 akuzave të rënda, në raport listohet edhe ndërhyrje dhe shkelja e autonomisë vendore nga Ilir Meta, duke iu referuar ndërhyrjes së tij së paligjshme në konfliktin mes Bashkisë së Tiranës dhe FRD-së. Sipas raportit, çdo veprim që kreu Presidenti në lidhje me konfliktin midis FRD dhe Bashkisë, vuri Metën në shkelje të pozitës neutrale/asnjanëse që ai duhet të mbajë si kreu i shtetit. Meta akuzohet gjithashtu për uzurpim të kompetencave të kryeministrit dhe Kuvendit.

Raporti i referohet qëndrimeve të Metës për politikën e përgjithshme shtetërore dhe politikën e jashtme, që janë kompetencë e kryeministrit si dhe deklaratat e tij në emër të popullit, në kushtet kur Kushtetuta njeh Kuvendin si përfaqësues i popullit dhe jo Presidentin, që zgjidhet nga Kuvendi.

Mes 30 akuzave, përfshihen edhe shkeljet nga ana e Metës të 18 neneve të Kushtetutës së Shqipërisë, duke iu referuar angazhimit të tij në fushatë elektorale kundër mazhorancës, madje duke tejkaluar edhe Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Sipas raportit, Meta, me qëndrimet e tij ekstreme në fushatë, ka dalë nga roli i përfaqësuesit të unitetit të popullit, ka ushtruar detyra dhe kompetenca të tjera nga ato që parashikohen nga Kushtetuta dhe ligjet, ka shkelur betimin si president, ka cenuar barazinë e konkurrimit politik, ka cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve etj.

Akuzat e Kuvendit për Ilir Metën

1. Thirrjet publike për veprime të dhunshme (neni 223 i Kodit Penal)

2. Thirrja për urrejtje nacionale (neni 266 i Kodit Penal)

3. Kërcënim dhe intimidim të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

4. Cenim i figurës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

5. Përpjekje për të krijuar krizë dhe incidente diplomatike me SHBA-në

6. Tentativë për të denigruar aleatin më të madh strategjik të Shqipërisë (SHBA)

7. Rrezik për të krijuar kriza apo incidente diplomatike me vende të tjera

8. Shantazh dhe sulme ndaj ambasadorëve të tjerë për t’u diktuar se çfarë qëndrimesh duhet të mbajnë

9. Deklarata të kundërta nga qëndrimi zyrtar e Shqipërisë për aleatët strategjikë

10. Cenimi i imazhit dhe reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë

11. Përkrahje e strukturave paralele shtetërore si struktura paramilitare e PD-së për mbrojtjen e votës.

12. Cenim i sigurisë dhe rendit publik

13. Ndërhyrje të paligjshme në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese (neni 124 i Kushtetutës)

14. Ndërhyrje të paligjshme në veprimtarinë e Gjykatës së Lartë (neni 135 i Kushtetutës)

15. Ndërhyrje të paligjshme në veprimtarinë e Gjykatave Speciale (neni 135 i Kushtetutës)

16. Ndërhyrje në veprimtarinë e gjykatave dhe gjyqtarëve (neni 145 i Kushtetutës)

17. Ndërhyrje në veprimtarinë e SPAK (neni 148 i Kushtetutës)

18. Ushtrim i kompetencave që i takojnë Kuvendit (Neni 2/2 Kushtetuta)

19. Uzurpim i kompetencave të kryeministrit (Neni 102/2 i Kushtetutës)

20. Ndërhyrje dhe pengim i qeverisë (Neni 100/1 i Kushtetutës)

21. Ka vepruar në kundërshtim me parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë (neni 4 Kushtetuta)

22. Ndërhyrje dhe shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor (neni 7 Kushtetuta)

23. Ndërhyrje dhe shkelje të autonomisë vendore (neni 13 Kushtetuta)

24. Diskriminim në bazë bindjesh politike (neni 18 Kushtetuta)

25. Ndërhyrje në të drejtën për t’u zgjedhur të subjekteve politike, duke cenuar barazinë e konkurrimit politik (neni 45 Kushtetuta)

26. Shkelje e betimit si Presidentit dhe akte në kundërshtim me formulën e betimit (neni 88/3 i Kushtetutës”

27. Përfshirje në lojën politike, dalje nga roli si përfaqësues i unitetit të popullit, angazhim në krah të një force politike (Neni 86/1 Kushtetuta)

28. Ushtrim i detyrave të tjera përveç funksionit si President (neni 89 i Kushtetutës)

29. Ushtrim i kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të (neni 94 i Kushtetutës)

30. Shkelje e parashikimit të Kushtetutës, sipas të cilit qeveria merr vendime me propozim të kryeministrit ose ministrit përkatës (Neni 100/2 i Kushtetutës)