Merr fund pas 16 sezonesh eksperienca e Sergio Ramos te Reali i Madridit. Mediat spanjolle kanë bërë të ditur se tashmë është zyrtarizuar divorci, teksa mbrojtësi 36-vjeçar do të dalë nesër në orën 11:00 në një konferencë për shtyp, ku do të shpjegojë edhe shkaqet e këtij vendimi. Mbrojtësit veteran spanjoll i përfundoi kontrata me Los Blancos dhe gjatë këtyre muajve ishin bërë negociata të shumta për të rinovuar, por palët nuk arritën të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe prej 1 korrikut Ramos është një futbollist i lirë.

Më shumë për detajet e divorcit do të shpjegojë vetë mbrojtësi nesër në konferencën për shtyp, megjithatë besohet se mes tij dhe presidentit Florentino Perez ka pasur një krisje vitet e fundit dhe pikërisht për këtë arsye bosi madrilen nuk preferoi të plotësojë kërkesat e Ramos. I transferuar te Reali i Madridit në verën e 2005-ës, Sergio Ramos ka fituar gjithçka me Los Blancos gjatë këtyre 16 sezoneve, duke nisur nga 5 triumfe në La Liga, e për të vijuar me 4 në la Liga, 4 Botërore Klubesh, 3 Superkupa Europe, 2 Kupa Mbreti dhe 4 Superkupa Spanje.

Gjatë 16 sezoneve Sergio Ramos ka zbritur në fushë plot 671 herë me fanellën e Realit të Madridit dhe ia ka dalë të shënojë 101 gola e të asistojë 40 të tjerë, ndërsa prej disa sezonesh ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit të skuadrës.