Drejtori i Transportit Publik në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, ka shpjeguar sot arsyet përse gjatë periudhës qershor gusht nuk do të ketë abone të përgjithshme për qytetarët. Në një intervistë për “Fax News”, Punavija ka deklaruar se muajt e verës do të shërbejnë për përmirësimin e transporti publik, pas një analize nga e cila do përcaktohet cilat janë ato linja që duhet të hiqen, apo të bashkohen mes tyre, për të sjellë një cilësi më të lartë shërbimi për kryeqytetasit.

“Gjatë periudhës së pandemisë, që nga rihapja e transportit publik korrikun e vitit të kaluar, ne jemi përpjekur maksimalisht që të kemi një shërbim normal të transportit publik, duke rikthyer gradualisht linjat në shërbimin e tyre, por përgjatë të gjithë këtij viti ne kemi parë që disa nga linjat kanë punuar me 30% të kapacitetit, disa me 60% të kapacitetit, gjë e cila shkon paralel edhe me volumin e udhëtarëve, i cili është mesatarisht 60% krahasuar me periudhën përpara pandemisë. Duke parë të gjithë këtë situatë, Bashkia e Tiranës pati të nevojshme që të kryejë disa analiza, verifikime me qëllim që të riorganizojë shërbimin e transportit publik, pasi qëllimi kryesor është që t’iu japim qytetarëve një shërbim dinjitoz të transportit publik,” u shpreh ai.

Ai shtoi se u përzgjodh pikërisht periudha e muajve të verës, kur edhe edhe numri i përdoruesve të transportit publik bie si pasojë e mbylljes së shkollave dhe universiteteve. “Kjo periudhë kohore është më e përshtatshme, duke qenë se ka më pak volume udhëtimi të qytetarëve të cilët përdorin abonetë e përgjithshme. Mendonim që impakti në raport me qytetarët do të ishte më minimal, por është e pamundur që një linjë të shkojë nga 100% të kapacitetit në 30% të kapacitetit, prandaj ishte e nevojshme ta bënim këtë proces gjatë kësaj periudhe për të pasur impaktin minimal në raport me qytetarët. Bashkia e Tiranës po sheh dhe shembuj të ngjashëm në bashkitë e tjera në Europë, falë edhe projektit që kemi nga asistenca e GIZ-it që po bëjmë aktualisht,” u shpreh ai duke shtuar se për cdo linjë ka aktualisht grupe monitorimi të situatës.

“Nga monitorimet tona të djeshme abonetë e përgjithshme sidomos të linjës Kombinat-Kinostudio kanë qenë nëpër pikat e shitjes nga mëngjesi deri në orët e darkës. Sot kemi grupet në terren të cilët po vazhdojnë monitorimin e tyre,” deklaroi Punavija. Punavija ka theksuar se pas analizës 3-mujore nuk do të ketë asnjë ndryshim të cmimit të biletës dhe as aboneve, si në terma afatshkurtër, ashtu dhe terma afatgjatë.