E ardhmja e Sergio Ramos pritet të jetë larg Realit të Madridit. Lajmin e konfirmon e përditshmja spanjolle “AS”, që raporton për një krisje totale mes kapitenit të Los Blancos dhe presidentit Perez, aq sa ky i fundit nuk i ka bërë asnjë ofertë për rinovim. Me afrimin e 28-vjeçarit David Alaba, madrilenët kompletuan sërish repartin e prapavijës, duke i dërguar njëkohësisht një tjetër sinjal Ramosit, se nuk kanë ndërmend t’i bëjnë asnjë ofertë për rinovim, teksa “AS” konfirmon se palët nuk komunikojnë prej ditësh. Presidenti Florentino Perez ka mbetur i zhgënjyer në disa raste nga ana e kapitenit të tij, teksa më i fundit ka qenë disa muaj më parë, kur Ramos doli kundër heqjes dorë nga 10% e pagës, për të ndihmuar klubin në kushtet e pandemisë.

Kjo lëvizje e mbrojtësit veteran spanjoll dëmtoi jo pak ekonomikisht klubin madrilen, ndërsa vetë Ramos bindi shokët e tij të refuzojnë, pasi u tha se paratë e kursyera do të investoheshin për të afruar në “Santiago Bernabeu” francezin Mbappe. Megjithatë pakënaqësia e parë e Perez ndaj Ramos u regjistrua në 2015-ën, kur vetëm pak pas largimit të Casillas, mbrojtësi kërcënoi me largim drejt Manchester United, nëse nuk do të rinovonte me pagë 12 milionë euro neto në sezon dhe numri një i Los Blancos u detyrua të pranojë. Më pas të dy janë përplasur edhe në dhomat e zhveshjes në 2018-ën, fill pas eliminimit nga Ajaxi në Ligën e Kampionëve, ku Ramos mori në mbrojtje shokët e skuadrës, por edhe një vit më vonë, kur mbrojtësi kërkoi ndërprerjen e kontratës për t’u transferuar në Kinë.

Sergio Ramos shquhet si një futbollist i drejtpërdrejtë, që nuk përdor shumë diplomacinë kur flet dhe ka dalë kundër grupit edhe kur u fol për një rikthim të mundshëm të Jose Mourinhos në Madrid, pasi deklaroi se skuadra ka fituar edhe pa të në pankinë. Të gjitha këto arsye, por edhe situata e krijuar me pandeminë, ku asnjë klub nuk mund të kënaqë më pretendimet ekonomike të mbrojtësit spanjoll, kanë vënë në pozita komode presidentin Perez, që kërkon të “hakmerret” ndaj futbollistit.