I ftuar nga Dritan Hila në “Arena” kreu i PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, tregoi prapaskenat e 25 prillit. Ai u shpreh se Basha i ka ofruar 14 kandidatë LSI-së për të qenë në listë të sigurtë të PD-së, por LSI ka kërkuar 22.

“Nuk e di se sa kandidatë i ka ofruar Basha, LSI-së, për të qenë në listë të sigurtë, por flitet një numër që është te 14-ta.

Ndërkohë LSI ka kërkuar 22 kandidatë. Këtë gjë nuk e ka pohuar vetë Basha me gojën e tij, por e kam dëgjuar nga njerëz afër tyre. Unë do të doja që të gjitha qarqet e vogla të dilnin me një koalicion të përbashkët”, tha ai.

Kujtojmë që menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, Bejko ka akuzuar LSI-në se me strategjinë e saj solli humbjen e opozitës. Sipas tij, nëse do të ishin në koalicion, së paku në Qarkun ku ai kandidonte, në Gjirokastër, do të kishin dalë barazim, jo 3 me 1 për PS-në, që nuk kishte ndodhur kurrë.