Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edith Harxhi, prej dy javësh sfidon Lulzim Bashën, nëse shkon dot në SHBA, apo jo. Ajo thotë se në fakt, Basha nuk e merr dot vizën amerikane. “Nëse nuk është e vërtetë Basha le të ngrihet dhe ta përgënjeshtrojë, po pres dy javë.

Ka 4 vite që nuk ka shkuar në SHBA, prej 2017.Ka tentuar disa herë, ka pasur disa ftesa, por nuk ka shkuar.  Basha se të dalë dhe ta përgënjeshtrojë” tha ajo një ditë më parë. “Unë nuk kam bërë akuza, por kam treguar disa fakte që i gjykoj të drejta. Basha që prej 2017 nuk viziton SHBA për shkak të një fotoje me Trump në Ohio, pas së cilës doli historia e lobimit me 675 mijë dollarë dhe çfarë solli kjo për PD?

Unë sot e kësaj dite bëj fushatë me makinë me qira. Basha ka arsenalin e PD dhe paguan lobingje 675 mijë dollarë dhe çfarë solli kjo për PD? Çfarë rezultati kemi pasur ne? Ku shkuan këto para? Ka 4 vjet që ka marrë ftesa nga SHBA dhe nuk ka shkuar. Si është e mundur që një kandidat për kryeministër të vendit, lideri i opozitës para se të vijë në pushtet nuk viziton Uashingtonin.

Berisha në 2003 vizitoi Uashingtonin pas krizës në ‘97 dhe hapi partinë dhe fitoi në 2005”, përsëriti ajo gjatë një interviste për A2. Pavarësisht akuzave të rënda, Lulzim Basha nuk ka reaguar për të sqaruar të paktën ata që do ta votojnë për kryetar të PD-së.

Vizita e fundit e Bashës në SHBA, ka qenë ajo me Fatmir Mediun për inagurimin e Donald Trump si president.

Që prej atëhere, ai nuk ka shkelur më në SHBA. Heshtja e tij ndaj akuzave se ai nuk shkon dot në SHBA, edhe nëse nuk është e vërtetë, ngre dyshim dhe shihet si një konfirmim në heshtje, se nuk shkon dot vërtet. Nëse do të ishte e vërtetë, kjo do të ishte shumë e rëndë për PD-në, e cila ka ish-kryetarin non grata nga SHBA dhe kryetarin aktual, të padëshiruar nga SHBA.

Fakti që Basha nuk flet, jo vetëm që konfirmon akuzat ndaj tij, por në mënyrë të poshtër nxit militantët e PD-së drejt një ndjenje anti-amerikanizmi, pasi ata mendojnë se SHBA e ka personale me PD-në, jo me Berishën e Bashën. (TemA)