Nga Alfred Peza

Lulzim Basha ngjan si dy pika uji, me atë personazhin e përrallës së Nastradinit, që i hipi gomarit mbrapsht për të shkuar në fshat. Duke qenë se ai vetë e shihte lagjen përballë, besonte se po shkonte drejt e në destinacion, pavarësisht se kafsha e gjorë ecte në drejtim të kundërt. Ec e ec dhe në vend që ti afrohej shtëpisë, vetëm kur pa që pika në horizont iu zhduk nga sytë, kuptoi se i ishte larguar asaj më shumë se kurrë më parë në jetën e tij.

Edhe Lulzim Basha i ka hipur gomarit të tij politik sëprapthi, e duke ia shitur këtë demokratëve si një udhëtim drejt fitores, në fakt ai po i largon ata çdo ditë e më tepër prej saj. E kur e sheh që këtë version qesharak po ua shesin me seriozitetin më të madh, si të vetmen mundësi për ti çuar opozitarët drejt një fitoreje të shpejtë, nuk ke sesi të mos kërkosh të dish se çfarë fshihet realisht pas kësaj përralle të re.

Pasi “triumfoi” në procesin e brendshëm të partisë më 13 qershor, ku rikonfirmoi mandatin e kryetarit të PD Lulzim Basha në vend që të nisi përgatitjet për zgjedhjet e lokale të 2023, po meret sërisht me zgjedhjet e 25 prillit. Në pamje të parë duket sikur ai mbetet një lider, që nuk fokusohet të fitorja e ardhshme, por tek humbja e shkuar. Si një udhëheqës këmbëngulës që do ti mbushi mendjen vetes dhe të vetëve, se pavarësisht se çfarë thotë KQZ, OSBE/ODIHR, SHBA dhe BE, ata ishin realisht fitues.

Por kjo është një lojë. Sepse Lulzim Basha e di shumë mirë që i ka humbur zgjedhjet. Sikundër i di edhe shkaqet që i çuan drejt saj. Atëherë lind pyetja: Mirë që deri në 13 qershor, iu desh që ti gënjente demokratët se ata kishin fituar por atë ua kishte vjedhur Edi Rama, po tani që e futi mandatin e ri të Kryetarit të PD në xhep përse vijon të këmbëngulë? Udhëzimi i fundit shpërndarë strukturave të partisë nga qendra në bazë, për të grumbulluar “provat” e fitores, synon në fakt diçka krejt tjetër në realitet.

E para, Lulzim Basha po kërkon të fitojë kohë deri në fillimin e pushimeve verore, në mënyrë që askush të mos meret me analizën e shkaqeve të humbjes së tij, por energjitë të orientohen drejt evidentimit të “provave të fitores së mohuar”. Ndryshe ai do dilte zbuluar, e do vihej para përgjegjësisë për vendimet e gabuara të 4 viteve të fundit, që i çuan drejt disfatës.

E dyta, Lulzim Basha po kërkon të fitojë kohë deri në shtator, kur do i duhet të përballet në fillim të sezonit të ri parlamentar, me vendimin për Sali Berishën. Pas shpalljes “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Lulzim Bashës i duhet ta ndajë veten dhe PD nga mëkatet e “liderit historik”, nëse dëshiron që të vijnë një ditë realisht në pushtet. Ky është një operacion politik po aq i vështirë, sa çështë për mjekët, ai për ndarjen e dy vëllezërve siamezë! E që të shpëtojë njëri, përmes organeve jetësore, trupi tjetër duhet sakrifikuar.

E treta, pasi forcoi sërisht pozitat e tij formale brenda PD, Lulzim Basha po nxiton që ti japi mandat edhe strukturave të tjera drejtuese, për ti mbushur ato me përkrahës dhe mbështetës të tij besnikë. Vetëm kështu askush nuk do ta vë më në diskutim, qënien e tij në krye të PD, çfarëdo të ndodhi në të ardhmen.

E katërta, pas deklaratës së Berishës se mund të rikthehet në krye të PD, me një mandat të ri të kryetarit të partisë në xhep dhe me struktura të mbushura me njerëz të kontrolluar prej tij, Lulzim Basha po përgatitet për më të keqen që mund të prodhojnë zhvillimet politike në fillim të vjeshtës.

Dhe e fundit, në rast se do jetë nevoja, ai do jetë i detyruar që të futet në një betejë të brendshme, për të larguar Sali Berishën nga PD me sa më pak dhimbje e humbje. Askush deri më sot përgjatë këtyre 30 viteve të postkomunizmit, nuk ia ka marë dot partinë kryetarit në detyrë, sado i dobët që të ketë qenë ai. Historia e mocionistëve të PD në fillim të viteve ’90 dhe e përplasjeve të forta të Fatos Nanos brenda strukturave të PS, e dëshmojnë këtë. Pa llogaritur këtu, historitë e pambarimta, brenda partive të vogla.

Në këto kushte, me lëvizjet e fundit Lulzim Basha nuk është nisur realisht që të fitojë zgjedhjet e humbura përballë Edi Ramës, sepse ato janë çertifikuar tashmë. Ai nuk po përgatitet as për garën elektorale të radhës, më 2023, sepse për to ka ende shumë kohë deri atëherë.

Rruga për atje, kalon fillimisht nga përballja brenda llojit, mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në PD. Ndaj për ta larguar sa më shumë vëmendjen nga lufta finale nëser, demokratëve po u shitet sot si e vërtetë, përralla e Nastradinit me udhëtimin mbrapsht drejt “fitores” së zgjedhjeve të shkuara!