Kreu i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli ka reaguar sërish në rrjetet sociale pas organizimit të mbledhjes në platformën Zoom. Ai ka ndarë pjesë nga mbledhja në rrjetet sociale, ku thekson se pavarësisht se këshilltarët bashkiak munguan, përgjigjet për pyetjet e tyre u kanë shkuar në adresat elektronike. “Dua t’ju bej me dije se pavarësisht mosparaqitjes së këshilltarëve bashkiak në mbledhjen e sotshme online, gjithë çfarë kërkuan të dinin në emër të ankesave të banorëve të Vlorës, u ka shkuar në adresat e tyre elektronike. Të gjitha drejtoritë e Bashkisë Vlorë janë përgjigjur me përgjegjshmëri për punët që kanë kryer, njësoj siç do të veprojnë dhe sigurisht, të përmirësohen, në vazhdim!”, shkruan Dritan Leli.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Vlorë ka dështuar, pasi kreu i bashkise nuk eshte paraqitur. Leli kërkoi që mbledhja të zhvillohej online, ndërsa këshilltarët u paraqitën në teatrin “Petro Marko” në mënyrë që mbledhja të zhvillohej fizikisht, por ky institucion ishte i mbyllur. Kreu i Këshilltarëve, Anduel Tahiraj në një komunikim për gazetarët tha se pretendimi i kryebashkiakut Leli, se mbledhja është kundër rregullave anti-Covid nuk qëndron, pasi sot hyn në fuqi vendimi i Komitetit të Ekspertëve, ku lejohet grumbullimi deri në 50 persona. “Siç jeni në dijeni në datën 1 qershor, 45 këshilltarë kërkuan një mbledhje jashtë radhe me temë, komunikimin me kryetarin e bashkisë sa i takon problematikave në qytet. Kryetari i bashkisë nëpërmjet një shkrese refuzoi pjesëmarrjen, me pretendimin e masave antiCovid.

Ky është një pretendim qesharak, sepse ky kryetar pak ditë më parë, po i njëjti kryetar i dha leje PD që të zhvillojë mbledhje në këtë sallë, jo vetëm të mbushur, por duke mos respektuar masat anti-Covid. Sot hyn në fuqi, vendimi që numri i pjesëmarrësve nëpër takime të jetë 50 persona. Ne në rrugë partiake dhe institucionale i kemi shprehur shqetësimet, duke i kërkuar edhe të reflektojë për qytetin”.