Kandidati për kreun e PD, Fatbardh Kadilli ka zhvilluar një takim me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, me të cilën ka diskutuar në lidhje me zhvillimet politike në Partinë Demokratike. Kadilli tha se në takim shpalosi manifestin politik për demokratët dhe shoqërinë, ndërsa tregoi se së bashku me Kim kanë ndarë mendimin se “PD është një aset i pazëvendësueshëm.”

“Sot pata kënaqësinë të zhilloja një takim të gjatë dhe të frytshëm me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim. Biseda u përqëndrua te zhvillimet politike në PD dhe në vend. Jam i lumtur që shpreha në takimin me të dërguarën e vendit më demokratik në botë, dhe aleatit strategjik të Shqipërisë, një zë të protestës kundër mënyrës si shkojnë gjërat në Shqipëri por edhe në partinë time, siç edhe shpalosa Manifestin Politik, jo vetëm për demokratët, por edhe shoqërinë. Me zonjën Kim ndamë mendimin se Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm dhe se, në fillesat e saj është dora e pamohueshme amerikane”, tha Kadilli.

Ndër të tjera, shprehu mirënjohjen për ambasadoren Yuri Kim dhe SHBA duke thënë se aty shohin misionin e përbashkët për një botë më të mirë e të ardhme më të sigurt.

“Gjithashtu në takim nënvizuan faktin e pamohueshëm se Uashingtoni dhe Shqipëria, nën udhëheqjen e PD kanë punuar bashkë dhe bërë shumë gjëra të mira. Për gjërat e mira, për të ardhmen, por edhe ruajtjen e traditës dhe mësimeve të saj, ishte biseda sot. Si kandidat për kryetar i PD dhe si demokrat nuk mund të mos i shpreh mirënjohjen Ambasdores Kim dhe vendit të saj te i cili shohim jo vetëm partneritetin dhe miqësinë, por edhe misionin e përbashkët për një botë më të mirë dhe të ardhme më të sigurt.Zoti e bekoftë Shqipërinë! God bless United State of America!”, u shpreh Kadilli.