Mero Baze

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka hedhur një gjysmë hapi kundër të fortëve në rrugë kur tha se do të bëjmë hetim pasuror për poseduesit e makinave të shtrenjta që shkelin rregullat. Në fakt arroganca në rrugë dhe qarkullim rrugor buron kryesisht nga pronarë të makinave luksoze që ndjehen më të sigurt për jetën e tyre për shkak të veturës, por dhe për shkak të pushtetit që kanë në rrugë. Ky për fat të keq është një vend ku vetura apo marka e saj është status në shoqëri. Biles ky është ndoshta nga të pakta vende në botë, ku njerëz që nuk udhëtojnë kurrë me veturë, por me avion, blejnë makina të shtrenjta vetëm që të fotografojnë veten në to. Pra për ta vetura nuk është mjet udhëtimi, por status në shoqëri.

Hetimi pasuror për secilin që kapet në shkelje të rënd me makina të shtrenjta, është një paralajmërim serioz, që duhet shtrirë doemos në fushën e turizmit. Këmbëngul për këtë.

Njësoj si ata që kanë makina të shtrenjta dhe që në shumicë i paragjykojmë si njerëz që vijnë nga nëntoka e shoqërisë, fatkeqësisht dhe në fushën e turizmit shumë investitorë janë të të tillë. Janë ata pronarët tipik të hoteleve, që hedhin një çantë me rrip të gjatë në qafë dhe që nuk ua di askush emrin por vetëm vendin apo zanatin nga kanë bërë paret.

I njëjti paralajmërim duhet të vlejë pra dhe për operatorët turistikë.

Nëse në një hotel apo në një shërbim turistik ka një shkelje në shërbim ndaj klientit, dhunë publike, sherr masiv apo diçka tjetër, në të cilën përfshihet pronari, ai duhet të kalojë në hetim pasuror duke i kontrolluar çdo cent.

Dhe për këtë duhen shembuj të shpejt. Vetëm kur dikush ta shikoj, se për shkak të “pordhëve” në autostradë i sekuestrohet vetura për shkak të burimeve të paligjshme dhe i hapen telashe familjes, apo kur vetëm për shkak të muskujve të pronarit, mund ti shkoj dëm gjithë investimi në hotel, mund të edukohemi.

Këto akte mund të jenë në kufijtë e lirisë si individit por dhe pasurimi i tyre ka qen ëme siguri jashtë kufijve të ligjit, kështu që nuk është se po gabohet ndaj një qytetari të lirë, por ndaj njerëzve problematik.

OFL aq shumë e reklamuar në të vërtet vetëm sa check—oj njerëz me probleme që ishin në biznes. Kjo fushatë duhet të check—oj biznese me probleme që mund të na çojnë tek pronarët e tyre real.

Investimet janë të mirëpritura në turizëm, por ato nuk sjellin zhvillim nëse prekin rendin dhe qetësinë. Bota ka plot qytete të bukura dhe të investuara por nuk kanë turizën, pasi kanë banditë që diktojnë jetën e qytetit.

Ndaj që nga Ksamili në Velipojë, aty ku të fortët bëjnë si investitorë mos shpresoni se do sjellin turizëm apo zhvillim por vetëm banditizëm. Pa gjunjëzuar ata para ligjit dhe u dhënë shembuj konkrete se si mund t’ua rrufshosh hotelin, pas një incidenti të dhunshëm, ky vend do të jetë pronë e tyre dhe jo e qytetarëve.