Sali Berisha është në momentin e tij më të vështirë, madje edhe më keq se në ’97-n. Amerika e ka futur atë në “listën e zezë” dhe e ka damkosur në fund të jetës së tij, si një njeri të korruptuar dhe që ka minuar demokracinë shqiptare përgjatë këtyre viteve. Kur u shpall vendimi tronditës për Berishën dhe familjen e tij nga sekretari i Shtetit, Blinken, ata u hodhën në sulm për të thënë se ky është një vendim i lobuar nga Sorosi.

Kjo, pasi sipas tyre, sekretari Blinken është njeri i Sorosit. Dhe vazhdonin më tej, duke thënë se për këtë vendim ka lobuar fuqishëm në Amerikë edhe Edi Rama. Por dy ditë më parë iu erdhi një goditje edhe më e rëndë, këtë herë nga presidenti Joe Biden. Urdhëri Ekzekutiv i lëshuar nga Biden, dukej posaçërisht për Shqipërinë dhe natyrisht për Sali Berishën, pasi ai është i shpalluri “non grata” nga SHBA. Dhe duke qenë se këtë herë nuk mund të sulmonin edhe presidentin Joe Biden, si të kapur nga Sorosi, ndryshuan strategji. Kanë dy ditë që ulërasin se SHBA nuk e ka me Shqipërinë dhe Sali Berishën, por e paska me Slloveninë dhe Kroacinë, se këto duan të ndryshojnë kufijtë e Ballkanit.

Dhe për këtë, nxjerrin dy personazhe qesharakë, që vetëm ata mund t’i thonë me qetësi të plotë këto marrëzira: Çim Pekën dhe Aldo Bumçin. Tani duan të na bëjnë edhe budallenj, pasi si Sllovenia, si Kroacia, kanë qenë të përfshira në këtë urdhër, si ish-vende të Republikës së Jugosllavisë. Në Urdhërin Ekzekutiv, i vetmi vend që është shtuar, është Shqipëria.

Ndaj, mirë do të bëjnë që të paktën të thonë se SHBA e ka me Edi Ramën, se ashtu të paktën mund t’i besojnë ata pak militantë që iu kanë mbetur. Se të gjithë e dimë dhe e kemi kuptuar që SHBA nuk e ka Sali Berishën, edhe pse e ka shpallur non grata. E ka me Edi Ramën, Hashim Thaçin, Sorosin, Slloveninë, Kroacinë, vetëm me ju s’ka gjë, prandaj s’keni pse ulërisni nga mëngjesi në darkë, se nuk e ka me ju SHBA! (TemA)