Në përpjekje për të shmangur stigmatizimin gjeografik, OBSH ka bërë të ditur se të gjitha variantet e COVID-19 do të emërohen me shkronja të alfabetit grek. Sipas planeve të OBSH, varianti indian do të njihet si “Covid Delta”, ndërsa varianti i Britanik ose ndrshe Kent do të njihet “Covid Alfa”.

Varianti i Afrikës do të bëhet “Covid Beta” ndërsa ai brazilian do të njihet si “Covid Gama”. Drejtuesja teknike e OBSH për koronavirusin Maria Van Kerkhove tha se ndryshimi “ka për qëllim të ndihmojë në diskutimin publik”.

“Asnjë vend nuk duhet të stigmatizohet për zbulimin dhe raportimin e varianteve. Etiketat janë të thjeshta, të lehta për t’u thënë dhe për t’u mbajtur mend dhe bazohen në alfabetin grek, një sistem që u zgjodh pas konsultimeve të gjera dhe një rishikimi të disa sistemeve të mundshme, “u shpreh Kerkhove.

Historikisht sëmundjet janë emërtuar sipas vendndodhjeve, sidoqoftë emërime të tilla mund të jenë të dëmshme për ato vende dhe shpesh janë të pasakta, siç është rasti me “gripin spanjoll” e vitit 1918, origjina e të cilit nuk dihet.

Në fillim të këtij muaji, qeveria indiane urdhëroi platformat e mediave sociale të hiqnin përmbajtjen që i referohej “variantit indian”. Urdhri qeveritar u përmend si një shembull i ndjeshmërisë së tij ndaj akuzave se ai kishte keq-trajtuar shpërthimin e fundit.

Në vitin e fundit ka pasur një rritje të fushatës anti-aziatike si rezultat i pandemisë dhe shpërthimit të saj në Kinë. Grupet anti-ekstremiste amerikane thanë se një rritje e sulmeve ndaj aziatiko-amerikanëve ishte pjesërisht e nxitur nga Donald Trump, i cili i referohej Covid-19 si “virusi i Kinës”.