Qytetarët do të jenë më të çliruar nga masat anticovid duke nisur nga dita e sotme, 1 qershor. Ora policore do shtyhet në orën 23:00, maskat nuk do mbahen më në rrugë, hapen pjesërisht stadiumet, teatro, kinematë por do mbahen mbyllur klubet e natës dhe diskot. Ndërsa, nga një korriku ora policore do të shkojë deri në mesnatë. Komiteti Teknik i Ekspertëve prezantoi para disa ditësh planin e masave lehtësuese, pas përmirësimit të situatës epidemiologjike.

Nga 1 Qershori: Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik. Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës që konsiderohen persona në risk.

Ora policore shtyhet në orën 23:00 – 06:00. Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do të lejohet deri në orën 22:00.

Nga 15 Qershori: Grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.

Nga 1 Korriku: Ora policore shtyhet në orën 24.00 – 06:00. Orari për muzikën nuk ndryshon, pra do mbetet ora 22:00.

Lejohen kampionatet sportive me prezence të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP.

Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri ne 30% të spektatoreve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të IShP.

Duke folur për situatën epidemiologjike, Drejtoresha e ISHP, Prof. Albana Fico tha: “Incidenca dy javore ka zbritur nga 35 për 100 mijë raste në 14 për 100 mijë raste, me një ulje edhe të mesatares ditore të rasteve pozitive 28 nga 42. Numri i bashkive me raste të reja është 9. Vijojmë me të njëjtin raport të infeksionit meshkuj femra, 48 me 52. Numri i shtrimeve spitalore vijon të mbetet i ulët, ai është 43 i raportuar numri i personave të shtruar në spitalet Covid me 7 persona në terapi intensive, update do ta kemi sot në komunikimin e ditës. Vijojmë me një case fatality rate 1.9.
Ajo që duhet thënë është që po bie pozitiviteti i mostrës që është nën 1%, 0.8 për të qenë të saktë”.