Na ndajnë vetëm 4 ditë nga vendimi i Këshillit Europian për vendimin e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ekspertja e integrimit, Fjoralba Caka e ftuar në ‘Studio Live’ u shpreh se Shqipëria ka përparuar në zbatimin e reformave të vendosura si kusht për çeljen e negociatave. Sipas saj, Maqedonia e Veriut nuk është një çështje që pengon vendin tonë sepse në Këshillin Europian do të vlerësohet ecuria e secilit shtet.

“Kjo është çështja e çiftëzimit, pra nëse do të hyhet në bllok apo në bazë të parimit të meritës. Ajo që është e qartë në dokumentet e BE është se shtetet nuk duhet të çiftëzohen në rrugën e tyre drejt BE jo sepse duhet të hyjnë në BE, por sepse përmbushin kushtet. Maqedonia e Veriut ka bërë sakrifica të mëdha për të merituar hapjen e negociatave. Çështjen e çiftëzimit me Maqedoninë e Veriut nuk e shoh si pengesë, nuk e shoh një çështje që na pengon ne sepse kur të vijë në diskutim statusi i hapjes së negociatave me Shqipërinë do të vlerësohet Shqipëria dhe Maqedonia. Unë dyshoj që shtetet do të thonë o të dyja o asnjëra sepse do të ishte një manovër e Brukselit që do shkonte përkundër parimit të meritës, që është parimi bazë i çeljes së negociatave”, tha Caka.

Në lidhje me reformën në drejtësi, ish-zv. ministrja e Drejtësisë, Caka e konsideron si reformën më të thellë që është ndërmarrë në vendin tonë që pas pluralizmit. Sipas saj është element themelor që të gjitha reformat të jenë konkrete dhe të kenë ndikim thelbësor, dhe jo të bëhen thjesht në letër.

“Reforma në drejtësi është një nga reformat më të thella që është kryer në Shqipëri pas vendosjes së pluralizmit. Është një reformë që kërkoi sakrifica, jo vetëm sa i përket ngritjes së institucioneve të reja që nuk ekzistonin më para, por edhe në ngritjen e institucioneve që kërkonin faturë të lartë financiare. Nuk flasim thjesht për sakrificë por flasim për një reformë që synon të hedhë bazat e një gjyqësori që reflekton vlerat e kulturës europiane. Ajo që nuk duhet të harrojmë në këtë rrugëtim është që ne jo thjesht do kryejmë reforma që qëndrojnë në letër, por reforma të cilat janë të afta të shndërrojnë kulturën europiane në vend dhe të rregullojnë ato ku kultura europiane nuk reflektohet siç duhet”, vijo Caka.

Ditën e djeshme parlamenti holandez i ka dhënë dritën jeshile Shqipërisë duke kërkuar mbajtjen sa më shpejtë të Konferencës së parë Ndërqeveritare. Për, Cakën ky është një rezultat pozitiv që nga 2019 dhe se Holanda ka përgëzuar arritjet që janë bërë në kuadër të negocimit.

“Ajo që ka ndodhur në vitet e fundit në BE, sidomos pas zgjerimit në 2007 me 7 vende nga lindja, është që kemi patur një fenomen që quhet lodhje nga zgjerimi. Lodhja nga zgjerimi ka bërë që procesi i zgjerimi të BE, nga një proces teknik dhe deri diku elitar, që qëndronte në duart e ekspertëve të komisionit është bërë një debat politik edhe brenda shteteve anëtare. Shpeshherë shtetet anëtare e sjellin çështjen e zgjerimit në tavolinë politike, por edhe në fushatat e tyre elektorale. Vala e pakënaqësive nga zgjerimi ka bërë që shumë shtete ta kalojnë çështjen e zgjerimit në debate parlamentare. Holanda e ka parë zgjerimin edhe si një çështje të politikës së brendshme. Duke e sjell jo vetëm në këtë rast, por edhe në 2019 çështjen e zgjerimit në parlamentin e vet nëse do të ketë një okej për ministrin që do të votojë për hapjen e negociatave. Rezultati është më pozitiv. Nëse do ta shikojmë nga perspektiva e shtetit holandez, në 2019 qëndrimi ishte se nuk janë plotësuar gjitha kushtet për hapjen e konferencës ndërqeveritare. Kemi një tjetër qëndrim ku parlamenti holandez ka përgëzuar arritjet që janë bërë në kuadër të negocimit”, vijoi Caka.

Caka shpjegoi se çelja e negociatave është një maratonë e gjatë e cila mund të zgjasë me vite të tëra dhe kërkon ndërmarrjen e një sërë reformash.

“Janë dy momente shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri të cilët shpeshherë kanë në mes vit të tëra reformash dhe takimesh, të cilat bëjnë jo vetëm hapjen dhe mbylljen e një kapitulli por kërkojnë ndërmarrjen e reformave nga shteti i asocuar. Procesi ka qenë teknik, por sot është edhe më shumë politik. Sot procesi është bërë politik dhe çdo shtet për një arsye të caktuar mund të vendosë t’i bllokojë apo t’i pezullojë këto negociata. Rasti më i shpejtë dhe më i afërt i hapjes së negociatave është rasti i Kroacisë që iu deshën 8 vite, që nga hapja e negociatave deri tek bisedimet për traktatin e aderimit. Hapja e negociatave është hapi i parë i një maratone të gjatë i cili varet jo vetëm nga muskujt e garuesit që kanë të bëjnë me reformat që do ndërmerren, por edhe nga lloji i pengesave teknike apo politike që mund të vendosin organizatorët e maratonës. Në mes të negociatave të Krocaisë pati bllokim nga Sllovenia derisa të zgjidhej çështja e kufirit mes tyre”, përfundoi Caka.