Kancelarja gjermane, Angela Merkel ia preu britanikëve hovin e pushimeve me kërkesën e saj drejtuar vendeve të BE-së që t`i vendosin vizitorët nga Mbretëria e Bashkuara në karantinë 14 ditore. Shpresat janë që në këtë mënyrë të frenohet përhapja e variantit Delta të koronavirusit, i cili po shton infektimet në Angli. Vende si Greqia, Spanja e Portugalia, që i presin me dëshpërim turistët britanike, ka mundësi që ta shpërfillin apelin e kancelares. Zyrtarë të lartë britanikë po kështu pretendojnë se kërkesa që anglezët të izolohen, është e pajustifikuar.

“Në vendin tonë, nëse vini nga Britania e Madhe, do të shkoni në karantinë. Nuk ndodh kështu në të gjithë vendet europiane, por unë do të doja ta shihja këtë masë edhe atje”, u shpreh Merkel. Sipas saj, vendimi i Portugalisë për të sfiduar ndalimin e udhëtimit të britanikëve, erdhi me pasoja që mund të ishin shmangur. Pa e fshehur shqetësimin nga varianti Delta, Merkel tha se BE-se i duhet një qasje më e unifikuar për rregullat e udhëtimit në mënyrë që të parandalohet përhapja e këtij mutacioni të rrezikshëm.

Në shumë vende të botës janë ngritur shqetësime të mëdha nga një vale e infektimesh për shkak të përhapjes së variantit indian të koronavirusit, i cili besohet që është më i transmetueshëm se te tjerët. Por OBSH pretendon se në përgjithësi vaksinat edhe ndaj këtij varianti mbeten efektive.