Vaksina anti Covid po konsiderohet si zgjidhja e vetme për të rikthyer botën në normalitet pasi për më shumë se 1 vit, pjesa më e madhe e shteteve u izoluan për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Por kohët e fundit kanë qarkulluar disa video ku njerëzit afrojnë ndonjë monedhë metalike në trup dhe i çuditshëm është fakti se ngjiten sikur të ketë magnet brenda në trup.

Për të vërtetuar se këto fakte nuk janë aspak të vërteta, ishte sot i ftuar në studion e “Wake Up” mjeku i njohur, Ilir Alimehmeti. Ky i fundit u shpreh se është diçka e rreme.

“Është diçka e rreme. E ata që e kanë bërë këtë eksperiment dhe u ka ngjitur magneti të shtojnë edhe një fazë tjetër. Aty ku keni bërë provën ta lyeni me pudër fëmijësh. Lyejni zonën, e të gjithë e dinë se pudra shërben për thithjen e lagështirës dhe yndyrës në lëkurën e fëmijëve. Dhe provojeni prap a ngjit monedha. E do kuptoni se nëse do kishte qenë magnet, monedha do vijonte të ngjiste. Po të jetë lagështirë, yndyrë apo lëndë tjetër ngjitëse që prodhon lëkura e njeriut, atëherë kjo do zhdukej.

Është një dukuri fizike, klasike. Një objekt i vogël me peshë relativisht të vogël me një sipërfaqe të rrafshët, me një tjetër sipërfaqe të rrafshët por tashmë elastike si lëkura, që ka edhe lagështirë, yndyrë, lëndë të tjera ngjitëse që prodhon vetë. E që nuk është njësoj gjithë ditën lëkura, ka pjesë ku djersitësh më shumë. Për ta hedhur poshtë këtë e provon, një dukuri e njohur fizike, që nuk ka lidhje me vaksinën. Në mënyrë absolute nuk ka asgjë të tillë, nuk ka një magnet brenda. Për vaksinat ka pas gjithmonë teori të shumta, jo vetëm nga njerëzit. Janë vaksina me autorizim të emergjencës, nuk kanë aprovim të plotë, por nuk përmbajnë lëndë magnetike”, sqaroi mjeku i njohur.